E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: Presidenti ndikoi në vendimin e Gjykatës Supreme

Kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, për mbetjen në fuqi të vendimit të dytë të KZAP-it, i cili e udhëzon KQZ-në për rivotim në Gjilan.

Një vendim i tillë nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme, është marrë vetëm pak orë para se presidenti Fatmir Sejdiu ta bënte emërimin e gjykatësve në Gjykatën Supreme. Sipas Mustafës, ky është një ndikim i drejtpërdrejtë i presidentit në vendimmarrje të institucioneve që do të duhej të ishin të pavarura.

“Pak para pak çastesh jemi njoftuar që është marrë një vendim nga Gjykata Supreme për mbetjen në fuqi të vendimit të dytë të KZAP-it, i cili e udhëzonte KQZ-në për rivotim në Gjilan. Për fat të keq një vendim i tillë nga gjyqtarët e Gjykatës supreme është marrë vetëm pak orë para se Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ta bënte emërimin e gjykatësve në Gjykatën Supreme dhe që ne e trajtojmë dhe është në fakt tashmë me transparencë siç thuhet doli çdo gjë dhe u bë e ditur se, është një ndikim i drejtpërdrejtë i presidentit, për fat të keq, në vendimmarrje të një shtylle, që do të duhej të ishte kaq e pavarur në Kosovë, siç është Gjykata Supreme, siç është KZAP-i”, ka thënë Mustafa, transmeton KosovaPress.

Sipas Mustafës, ky është një grusht i rëndë që kreu i shtetit po i bën demokracisë në vend, duke e favorizuar subjektin politik prej nga vjen.

Mustafa i PDK-së shprehu keqardhjen si këta gjyqtarë të cilët “dhunuan vullnetin e qytetarëve të Gjilanit“, u shpërblyen me poste të larta në njërën nga shtyllat më themelore të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës.

“Që të jetë e keqja edhe më e madhe këta gjyqtarë që dhunuan sot përfundimisht vullnetin e qytetarëve të Gjilanit u shpërblyen me poste të larta në njërën nga shtyllat më themelore të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, e që do të duhej të ishte e pavarur. Pra në gjyqësi dhe që do të duhej të ishte garant për rritjen e shtetësisë edhe për funksionimin e demokracisë në Kosovë”.

Mustafa në fund ka ftuar KQZ-në që të marrë vendim sa më parë për rivotim në Gjilan, për hir të vullnetit të qytetarëve të Gjilanit. A është deklaruar i bindur se ashtu siç ka fituar në herën e parë dhe të dytë, do të fitojë edhe në raundin e tretë për kryetar të Gjilanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›