Mustafa: VV-ja po shërbehet me manipulime

Lidhur me protestën e caktuar të Vetëvendosjes për ditën e nesërme në Gjilan, ka reaguar kreu i Komunës së Gjilanit, Qemlaj Mustafa, sipas të cilit kjo lëvizje “plason të pavërteta, diskrediton dhe baltosë e përdhunon pa argumente, me të vetmin qëllim - ardhjen e jashtëligjshme në pushtet”.
Në një letër shumë të gjatë, me të cilën i drejtohet qytetarëve të komunës së Gjilanit, Mustafa pohons e deri tashti “nuk dëgjuam nga lëvizja VV diçka të mençme e bindëse si alternativë e përshpejtimit të zhvillimit të demokracisë e të zhvillimit tonë ekonomik e shpirtëror”.
Në vazhdim të kësaj letre Mustafa akuzon VV-në se po shërbehet me manipulime, duke shtuar se Komuna e Gjilanit nga viti në vit e ka shkarkuar qytetarin nga taksat e ngarkesat e administratës. Ndërkaq, sa i përket nepotizmit (familjarizimit) në pushtetin komunal, Mustafa shkruan se tashti ka më pak nepotizëm se atë që e ka instaluar lideri lokal i lëvizjes VV këtu në Gjilan, duke punësuar familjarë për një sezon sa ishte drejtor arsimi (brenda dy vjetëve).
Pos tjerash, në fund kreu i Komunës fton qytetarët “të mos bëhen argatë të atyre që me asgjë nuk e meritojnë kujdesin dhe vëmendjen tuaj, sepse ju siguroj që përveç ardhjes në pushtet, të tillët nuk kanë asnjë vizion tjetër për komunën e vendin”.
“Mos e lejoni që ne qytetarët e komunës tonë të mirë, tolerante, demokratike, të bukur e me trend të fuqishëm zhvillimi të jemi mjeti për realizimin e qëllimit të mbrapshtë të kësaj lëvizje të stërbajatur “revolucionarësh” të ndryshkur, së cilës në mungesë të argumenteve për ballafaqim në arenat demokratike i ka mbetur vetëm rruga dhe zhurma e fyerjet që ajo po i prodhon përditë”./Indeksonline/