Mustafa: Zgjedhjet - sipas marrëveshjes
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur të shtunën në Viti qëndrimin se axhenda për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Kosovë mbetet ajo që është paraparë me marrëveshjen Thaçi - Mustafa - Pacolli.
“Në vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje presidenciale, kurse në vitin 2013 zgjedhje parlamentare”, ka thënë Mustafa në kuvendin e punës së LDK-së, dega për Viti.
Ai ka shtuar se në saje të kësaj agjende, LDK këtë vit duhet të kryejë procesin e reformave brenda partisë, në mënyrë që vitin e ardhshëm të jetë e përkushtuar në këto zgjedhje për t`i fituar ato.
“Në Kosovë kemi një qeverisje të papërgjegjshme e cila përveçse parullave asgjë nuk ka bërë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, nuk ka bërë asgjë as në arsim dhe në fusha tjera, prandaj kjo qeveri nuk meriton të udhëheqë më gjatë Kosovën”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, LDK ka thelluar reformat edhe në programin e saj, i cili po profilizohet që kjo parti të jetë parti e qendrës së djathtë dhe anëtare e partive popullore të Evropës që ruajnë vlerat tradicionale.