E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jean-Francois Fitou: Dialogu nuk është show

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-Francois Fitou, ka thënë se vendi i tij mbështet pavarësinë e Kosovës, planin e Ahtisaari dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke sqaruar se dialogu nuk është shfaqje, por një proces serioz dhe më se i rëndësishëm.
Ai i ka inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin për vazhdimin e dialogut në Bruksel, ndërsa ka kërkuar që të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani.
“Dialogu nuk është shfaqje për opinion, është diçka serioze. Bashkimi Evropian e ka kërkuar këtë. Dialogu është i mirë për arsye që Beogradi dhe Prishtina të bisedojnë ndërmjet tyre dhe të sjellin rezultate. Këto rezultate do të jenë frustruese dhe do të vijnë ngadalë. Dialogu do t`i sjellë Kosovës dhe Serbisë një kredibilitet në rrugën drejt BE-se. Dialogu nuk është një vitrinë apo show, por çështje e duhur për zgjidhjen e vështirësive. Zbatimi i marrëveshjeve mundëson lirinë e lëvizjes dhe jetë më të mirë. Mënyra për të kaluar ketë fazë është bashkëpunimi dhe fryma që shtetet e Ballkanit perëndimor të respektojnë njëra-tjetrin. Shteti im mbështet pavarësinë, Ahtisarin dhe dialogun”, është shprehur Fitoi në një debat të organizuar në qendrën mediale në Çagllavicë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, ka theksuar se nuk është reale që të presim zgjidhjen e problemeve brenda natës apo javës, ndërsa deputeti i Partisë Socialiste serbe dhe nënkryetari i Këshillit për Kosovën, Dejan Radenkovic, ka deklaruar se dialogu është zgjidhja e vetme për të tejkaluar problemet.
Në këtë debat u është prekur edhe çështja e dinamikës së zbatimit të planit të Ahtisarit, çështja e menaxhimit të integruar të kufirit, procesi i decentralizimit dhe situata në veri. Ambasadori francez ka thënë se ka kuptuar që menaxhimi i integruar i kufirit është mënyrë e ndërlikuar teknike, ka shtuar ai nëse Prishtina dhe Beogradi kanë gjetur mënyra për të menaxhuar pikat 1 dhe 31, atëherë do të thotë se kanë gjetur mënyra të zgjidhjes së problemeve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›