E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa ndërron shumicën e drejtorëve

Ndonëse ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht përbërja e qeverisë së re lokale në Gjilan, jozyrtarisht mësohet se nga 11 drejtoritë, shumicën do t'i jenë drejtorë të rinj. Vetënë dy-tri sosh pritet të vazhdojnë punën drejtorët e deritashëm.

Një numër i drejtorëve aktualë duhet të zëvendësohen si rrjedhojë e marrëveshjes së PDK-së, si parti fituese e zgjedhjeve të fundit, me partnerët e saj të koalicionit, pasi drejtoritë përkatëse do t’u takojnë partive të tjera.

Tri drejtoritë që priten t’i takojnë Aleancës Kosova e Re (AKR), Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, udhëhiqen aktualisht nga njerëz të PDK-së, me çka nënkuptohet se ata nuk do të jenë më në ato poste.

Po ashtu, edhe Drejtoria e Inspeksionit që udhëhiqej nga kuadri i PDK-së pritet t’i takojë Grupit G3, përkatësisht të udhëhiqet nga kuadri i ORA-s, derisa edhe Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport, që drejtohej nga kuadri i AKR-së, pritet të drejtohet nga i përzgjedhuri i Partisë së Drejtësisë (PD).

Ndryshime të drejtuesve të drejtorive përkatëse, pritet të ketë edhe në disa prej 6 drejtorive tjera komunale, që sipas marrëveshjes do t’i takojnë PDK-së, në mesin e tyre edhe të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, e cila në qeverisjen e kaluar udhëhiqej nga kuadri i AKR-së.

Po ashtu, ndryshim pritet edhe te Drejtoria e Arsimit për shkak të mundësisë që drejtori aktual Ismajl Kurteshi mund të shkojë në postin e deputetit të Parlamentit të Kosovës, në rastin e parë që lirohet vendi i deputetit nga radhët e PDK-së.

Ndryshim pritet të ketë edhe te Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila udhëhiqet nga kuadri i PDK-së, por që në atë post kishte ardhur si rezultat i një marrëveshje të mëhershëm, kur një grup i AAK-së së Gjilanit kishte kaluar në PDK.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›