E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatësit braktisin punën, nëse s’rriten pagat

Shoqata e Gjykatësve të Kosovës, nëpërmes një komunikate për media, ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë ngritje të shpejtë të pagave, do të ketë braktisje masovike të gjykatave nga ana e gjykatësve

“Pozita e gjykatësve në Kosovë vazhdon të jetë e vështirë dhe askush nuk shfaq vullnetin për ta përmirësuar këtë gjendje. Pagat e gjykatësve nuk janë rritur që nga viti 2002. Ato edhe pas dhjetë viteve mbesin më të ulëta se të juristëve të thjeshtë në ndërmarrjet publike, apo dy herë më të ulëta se e një përkthyesi të thjeshtë në UNMIK, EULEX apo OSBE, dhe dy herë më të ulëta se sa punëtori më i thjeshtë në Aeroport ose në PTK”, thuhet në komunikatën, e cila është nënshkruar nga Elmaze Syka, në emër të Bordit të Shoqatës.

Ndonëse është bërë kalimi i kompetencave tek institucionet e Kosovës, gjyqësori i Kosovës, sipas Sykës, vazhdon të shikohet si diçka e huaj dhe e largët dhe “çdo herë mbetet fajtori kujdestar i të gjitha të metave të shoqërisë kosovare”.

Në Kosovë thuhet se pushtetet janë të ndara dhe thuhet se janë të barabarta, mirëpo pozita në të cilën gjenden gjyqtarët dhe pagat e ulëta të tyre, në krahasim me pjesëtarët e dy pushteteve të tjera, tregojnë se nuk ka barazi të pushteteve, theksohet më tutje në komunikatë.

Pagat e gjykatësve thuhet se janë tri herë më të ulëta se pagat e anëtarëve të qeverisë dhe të legjislativit, me këtë edhe kushtet e vështira në të cilat punojnë gjykatësit vazhdojnë të mbeten të pa përmirësuara.

Shoqata e Gjykatësve të Kosovës kërkon që pozita materiale e gjykatësve të zgjidhet pa vonesë.

Shoqata kërkon që Projektligji për Gjykatat që ka parashikuar nivelizimin e pagave të gjykatësve me Ekzekutivin të hyjë në fuqi menjëherë nga dita e miratimit të ligjit, e jo nga fillimi i vitit 2013, siç është parashikuar me propozimin e këtij ligji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›