E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Bashkimi Evropian, standarde të dyfishta për Kosovën

Drejtori ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj, ka vlerësuar se Bashkimi Evropian është duke aplikuar standarde të dyfishta për Kosovën në kuadër të procesit të integrimit. Në një intervistë për “Kohën Ditore” ai ka thënë se Raporti i Progresit si tërësi është edhe pasqyrim i punës së mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë. Mustafaj ka deklaruar Kosova assesi nuk duhet të pranojë të hyjë në dialog politik me Serbinë dhe se Pakoja e Ahtisarit tashmë ofron status special për komunitetin serb në Kosovë.

Mustafaj nuk mendon se Raporti i Progresit e ka befasuar ndokënd. Sipas tij, Sistemi i drejtësisë në Kosovë është shumë i dobët dhe të gjithë që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë e dinë këtë. Mendoj se policia vazhdon t’i ketë meritat për punën e saj, por policia nuk është i tërë sistemi i drejtësisë, ajo është vetëm një pjesë e tij, kështu që policia mund t’i arrestojë qytetarët, por mosndëshkimi i tyre nga gjyqësori është si një shishe e ujit e cila nuk mund të mbushet nëse nuk ka fund të mbyllur. Por në të njëjtën kohë do të ishte shumë interesant nëse një vlerësim i tillë do të bëhej edhe për punën e institucioneve ndërkombëtare që janë në Kosovë. Si për shembull çka është duke bërë UNMIK-u në Kosovë, çka po bën EULEX-i, ICO-ja, cila është performansa e NATO-s këtu dhe mendoj se atëherë do të bëhej më e qartë se Kosova është një shtet me një paraqitje të varfër, sepse edhe BE-ja nuk është duke e ofruar përkrahjen e saj që i duhet Kosovë për të arritur progresin e kërkuar. Shembull konkret është organizimi i zgjedhjeve në Kosovë. Ata të cilët folën shumë për zgjedhjet ishin përfaqësuesit ndërkombëtarë që pranuan se kishte disa parregullsi, por megjithatë i vlerësuan si zgjedhje të mira. Kurse në anën tjetër në Raportin e Progresit është një vlerësim tjetër për këtë proces. Me këtë nuk dua ta fajësoj BE-në për paraqitjen e dobët të Kosovës në Raportin e Progresit. Ajo çka po e them unë është se këto dështime dhe regrese duhet të pranohen edhe nga institucionet e Kosovë, por edhe nga vetë BE-ja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›