E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Tek Topi nuk duhet të shkohet me kushte

“Qoftë Berisha me maxhorancën dhe sidomos Rama, shkojnë me kushte. Unë mendoj se presidenti Topi është në pozitë të vështirë në këto rrethana, sepse ai gjendet i angazhuar për të zgjidhur një krizë, përballë dy protagonistësh të cilët i vënë kushte. Nuk shkohet tek presidenti me kushte! Presidenti duhet të përcaktojë qartë nëse, është në gjendje të ofrojë një strategji zgjidhjeje dhe mbi bazën e strategjisë që ofron presidenti duhet të diskutojnë...! Në qoftë se njëra palë shkon me idenë “...gjithçka veç hapjes së kutive” dhe pala tjetër me idenë “...gjithçka fillon me hapjen e kutive”, nuk e kuptoj se ku do të jetë roli i presidentit. Tek presidenti nuk duhet shkuar me kushte”, u shpreh Mustafaj në një intervistë për Zërin e Amerikës. Duke folur për marrëveshjen detare me Greqinë, Mustafaj thotë se qeveria do të përfitojë nga kjo mundësi e re që i dha Gjykata Kushtetuese për të negociuar një marrëveshje më të mirë. “Normalisht, nëse besojmë që Greqia është një shtet demokratik, rrëzimi i kësaj marrëveshje nuk do të ketë asnjë ndikim negativ, sepse është rrëzuar nga gjykata, nuk është rrëzuar nga një forcë politike, nuk u rrëzua nga qeveria, nuk u rrëzua nga ndonjë institucion i dorës së dytë. Në demokraci vetëm gjykata nuk vihet në dyshim! Deklarim i ministrit të jashtëm plotësues të Greqisë, në momentin e parë ishte se ata nuk japin gjykime mbi gjykatat, pra në këtë kuptim unë nuk shoh arsye parimore, arsye demokratike, arsye dhe të vullnetit të mirë, që kjo gjë të ndikojë në marrëdhëniet midis dy palëve” tha Mustafaj.                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›