E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKV: UP po punon për pushtetin

Lëvizja studentore për barazi, STUDIM KRITIKË VEPRIM ka mbajtur një konferencë për të shprehur shqetësimin lidhur me gjendjen e Universitetit të Prishtinës. Sipas tyre, ky universitet është në shërbim të pushtetit.

Aktivistja e SKV-së, Edona Ismajli ka thënë se vendimi për rritjen e rrogave të anëtarëve të Këshillit Drejtues në kohën kur pagesat semestrale për studentët është e papërballueshme, është fyese.

“Këshilli Drejtues në njërën nga mbledhjet e tij mori një vendim fyes dhe kriminal. Vendimi kishte të bënte me rrogat e anëtarëve të organit të pushtetit në UP, pra të Këshillit Drejtues. U vendos që anëtarëve të Këshillit Drejtues, që janë të zgjedhur nga senati i UP-së, t’u dyfishohet rrogë”, ka thënë aktivistja Ismajli.

Ajo ka cekur edhe pagesat semestrale duke thënë se rritja po bëhet në kurriz të studentëve.

“Ky vendim merret në kohën kur studentët për studime themelore paguajnë 50 euro, për master rreth 250 dhe nga 5 euro për çdo provim. Kjo ndodh, kur studentët arrijnë në UP nga familje të cilat jetojnë në varfëri të skajshme. Pra, dyfishimi i rrogave bëhet krejtësisht në kurriz të studentëve”, ka shtuar ajo.

Lëvizja studentore për barazi “Studim Kritikë Veprim”, gjithashtu ka kërkuar që afati i provimeve i muajit prill dhe tetor të bëhet afat i përhershë./Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›