Lladrovci: Nuk ndikohem prej Zhbogarit

Pas publikimit tëlajmit se Ramiz Lladrovci është tërhequr nga rasti "Kiçina", ka shkruar një letër ku thotë se nuk tërhiqet dhe nuk ndikohet, as prej Samuel Zhbogarit.
Më poshtë letra e plotë e Lladrovcit:
I vetëdijshëm për peshën dhe rëndësinë që ka, si për drejtësinë kosovare, e mbi të gjitha për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, në vijim dua të sqaroj rreth konsekuencave dhe gjithë atyre që u thanë pas seancës të së premtes në Parlamentin e Kosovës, ku u diskutua për Rastin Kiqina, që ishte iniciativë e imja, dhe e mbështetur nga 84 kolegë të tjerë deputetë.
Dua të njoftoj opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, se motivi im për t’u marrë më ketë cështje ka qenë se besimi i plotë i familjarëve të tyre në pafajësinë e atyre që janë në burg, kurse motiv shtesë ka qenë nënshkrimi i peticionit nga 52.000 qytetarë të Republikës së Kosovës, për të zbardhur të vërtetën në këtë rast.
Gjithashtu, dua të bëj të ditur se unë personalisht nuk kam qenë nënshkrues i këtij peticioni. Jam shumë i lumtur që kjo cështje nuk u fut në rend dite në seancë parlamentare, atëherë kur ishte kërkuar nga peticioni i 52.000 qytetarëve, por kjo ndodhi vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërtën, vërtet do të mund të konsiderohej si ndërhyrje apo presion mbi vendimet që do të mund t’i merrte Gjykata Kushtetuese.
1. Me gjithë spekulimet e bëra në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në portalin indeksonline.net, unë e informoj opinionin se nuk jam tërhequr dhe nuk do të tërhiqem nga kjo iniciativë, që është shumë e rëndësishme dhe qenësore për zbardhjen e të vërtetës për Rastin Kiqina, në të cilin, si rezultat i padrejtësive, po mbahen në burg ende katër djem krejt të pafajshëm. Kryetari i Parlamenti të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, ka ftuar një takim të shefave të grupeve parlamentare për të vendosur rreth kësaj teme, rreth votimit ose jo të propozimit tim. Të martën në orën 10:00, do të vazhdojë seanca e mbetur, ku do të vendoset për ose kundër propozimit tim. Dua t’ua kujtoj atyre që s’e dinë, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 70, pika 1, thotë: “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”. Gjithashtu, Neni 77, Pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thotë: “Kuvendi, me kërkesën e një të tretës (1/3) së të gjithë deputetëve të tij, cakton komisione për një çështje të veçantë, duke përfshirë edhe çështje hetimore”.
Ndërsa iniciativa ime është përkrahur nga mbi 2/3 e deputetëve, për formimin e një komisioni ad hoc për verifikimin e shkeljeve procedurale dhe të drejtave dhe lirive të njeriut në Rastin Kiqina.
Andaj, veprimet e mia kanë qenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
2. Unë kam konsideratë për punën dhe misionin e z. Samuel Zbogar në Kosovë. Por, mendoj se ai nuk do të të duhej të thotë: “Unë besoj se janë përdorur të gjitha rrugët ligjore dhe kjo cështje konsiderohet e mbyllur”. Në këtë rast mendoj se është bërë mirë që Parlamenti i Kosovës nuk e ka diskutuar këtë temë derisa nuk janë mbyllur të gjitha procedurat, madje edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse atëherë, po të debatohej gjatë procesit, me të vërtetë do të mund të konsiderohej si ndërhyrje në drejtësi. Unë mendoj se këtu nuk kemi të bëjmë aspak me ndërhyrje në drejtësi. Krejt angazhimi ynë është vetëm përpjekje për të zbardhur shkeljet procedurale dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, në këtë rast, në të cilin ne i kemi dyshimet e bazuara se ato janë shkelur. Unë dhe kolegët e mi, për asnjë moment nuk kemi tentuar të ndërhyjmë në drejtësi. Përkundrazi, ky është një kontribut më shumë për drejtësinë e vërtetë. Ne jetojmë në Evropë dhe jetojmë në shekullin XXI. Vetëm në sistemet totalitare drejtësia kamuflohet dhe proceset mbyllen sic dikush po tenton ta mbyllë Rastin Kiqina, edhe pse pa prova dhe asnjë argument. Jam i bindur se, herëdokur, drejtësia do të dalë në shesh dhe pastërtia e të gjithë të akuzuarve në Rastin Kiqina do të vërtetohet. Gjithashtu, kjo iniciativë nuk do të ndikojë në përmbajtjen e Raportit të Progresit për Kosovën. Mendoj se, nëse po, ajo do të duhej përfshirë si element pozitiv dhe përpjekje për të vënë në vend drejtësinë dhe të vërtetën. Askund në botën demokratike nuk ndodhë që një proces gjyqësor të mbyllet pa i konsultuar provat dhe faktet që saktësisht dëshmojnë pafajësinë e të akuzuarve, sikurse ndodhi në Rastin Kiqina, ku asnjë prej provave s’u mor për bazë, s’u tha në gjykatore e as në opinion, sepse ato dëshmonin alibinë dhe pafajësinë e plotë të të akuzuarve. Vetë humbja e fakteve, provave dhe e gjurmëve nga vetë hetuesia, shërben të dyshoj shumë që dikush është i interesuar të mos zbardhet e vërteta;
3. Unë, po ashtu, për hirë të korrektësisë, dua të them se në raportimin reth kësaj teme, me gjithë respektin që kam për këto dy shtëpi mediale, të kompanisë “Koha”, pra e përditshmja “Koha Ditore” dhe KTV, kanë lëshuar një pasaktësi, kur kanë thënë se në mesin e viktimave ka qenë edhe një foshnje 3-muajshe. Edhe një herë e dënoj krimin mbi Familjen Hajra. I kërkoj falje kësaj familjeje për ripërtritjen e dhimbjes dhe përfoljen e kësaj tragjedie makabre, por e vërteta është se viktima më e vogël fëmijë, në këtë rast, ka qenë një vajzë 9-vjecare. Ky fakt, në asnjë mëmnyrë nuk e lehtëson krimin mbi familjen Hajra, por është vec një e dhënë më e saktë, që e demanton raportimin e “Kohës Ditore” dhe të KTV-së.
4. Kosova, shteti ynë dhe miqtë ndërkombëtarë, për mua, janë më të cmuarit. Por, drejtësia dhe e vërteta janë mbi të gjithë ne. Janë dhe duhet të jenë mbi të gjithë ne. Ka shumë shembuj në botë, kur njerëzit e kanë pësuar fatalisht, janë dënuar dhe ekzekutuar, kurse më vonë, procedurat tjera kanë vërtetuar pafajësinë e tyre, mbi bazë faktesh dhe të vërtetimit përmes AND-së. Në Rastin Kiqina, këto prova janë humbur qëllimisht. E, në vendet demokratike, kudo në botë – ligji dhe drejtësia janë të paprekshme. Dhe ky shembull është udhërrëfyes për iniciativën time dhe do të jetë udhërrëfyes për punën time të mëtejme në Parlamentin e Kosovës dhe kudo në jetën time.