E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu i Apolonisë, ku kanë mbërritur punimet

Instituti i Monumenteve të Kulturës prezanton në KKR projektin për Muzeun e Apolonisë.


I konceptuar së jashtmi si një qendër e vogël antikiteti helen, dhe së brendshmi një hapësirë moderne. Premtohet hapja e në vjeshtë. Në pritje, restaurimi i Rotondës dhe Torres Veneciane në Durrës


Rehabilitimi i Muzeut të Apolonisë është një nga projektet që Këshilli Kombëtar i Restaurimit në MTKRS merr sot në shqyrtim, 9 qershor, bashkë me projektin e restaurimit të Kalasë së Tiranës dhe Mirëmbajtjen e Kullës së Sahatit.


Projekti për restaurimin e Muzeut është përgatitur nga sektori antik-mesjetar i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Drejtori i ri i tij, Apollon Baçe, i rikthyer në detyrë pas largimit nga ish-ministri Pango, shpjegon se projekti ka të bëjë me rehabilitimin përfundimtar të anës së jashtme të Muzeut, portikut dhe çatisë, dhe rikonceptimi i hapësirës së brendshme sipas një modeli bashkëkohor. Muzeu i Apolonisë pritet të hapet në vjeshtë, në muajt shtator-tetor.


"Ka pasur ndërhyrje të njëpasnjëshme në sistemin e çatisë në muret. Por, tani do të bëhet konsolidimi përfundimtar i Muzeut, që të mos ketë më cedime. Tek portiku ka një shkarje të terrenit dhe aty do të merren masat.


Do të krijohet një sistem monolit që nuk do të lejojë cedimet e mëtejshme dhe mundësitë e dëmtimit të objekteve. Hapësira e brendshme do të trajtohet në mënyrë moderne. Ideja është që vizitorët në Apoloni të mos shohin vetëm monumentet e arkitekturës, shëtitoren, sistemin e fortifikimit, manastirin, por ta shijojnë në të gjithë kompleksitetin e tij, të shohin edhe gjetjet.


Objektet të bëjnë të ndiesh më afër pulsin e jetës së dikurshme", shpjegon më hollësisht Baçe dhe shton se Apolonia është një nga qytetet më të mëdhenj dhe më të kulturuar të botës antike.


Duke qenë se në Muze nuk ka patur ndërhyrje për një kohë, të gjatë, çatia paraqitet në gjendje kritike, gati në rënie.


Kurse rikonceptimi i Muzeut që prej vitesh qëndron i mbyllur për shkak të gjendjes së rrezikut, do t'i përmbahet modelit helenistik.


Lidhur me përzgjedhjen e objekteve që do të vendosen në muze është caktuar një ekip i drejtuar nga arkeologu Neritan Ceka. Instituti merret vetëm me konceptimin e vitrinave moderne, ku do të ekspozohen objektet arkeologjike.


Objektet e gërmimeve të viteve të fundit kanë zgjuar një interes jo aq të madh për arkeologët. "Kremi i tortës është marrë që në fillim", pohon Baçe, i bindur që koha e artë e gërmimeve kanë qenë pas viteve '20, kur kanë punuar arkeologët Leon Rei dhe Hasan Ceka.


Projekti i IMK për Muzeun e Apolonisë kap vlerën 200 mijë euro. Ndërhyrjet që do të bëhen në këtë zonë mbështen nga UNESCO.


Në këtë kohë në Institutin e Monumenteve është në proces edhe projekti i Rotondës së Durrësit, ku mendohet të bëhen ndërhyrje restauruese. Arkitekti restaurator, Ervin Panidha, tregon se procesi do të kalojë në katër faza, jo një punë me karakter aksioni, vetëm prerje barërash dhe një sistem i mirë ndriçimi.


Puna mendohet të fillojë me rikonturimin e përmasave të sheshit dhe të bëhet një matje e saktë e diametrit të tij. Më tej kalohet në një fazë të dytë me rëndësi, konstruksioni i hyrjes në këtë sit arkeologjik.


"Rotondoja ka formën e një rrethi, ndërpritet tangent nga bulevardi që lidh Bashkinë me Portin e Durrësit. Ka një ndërprerje 12 metra, që nuk lejon mbylljen e ciklit. Jemi të detyruar të kemi një marrëdhënie edhe me Bashkinë, për të ndërhyrë në trotuar, për të krijuar një mbikalim në këtë pjesë, që ta zbulojmë të tërë pjesën e sitit", shpjegon Panidha.


Në një fazë të mëvonshme, do të bëhen ndërhyrjet në infrastrukturën e Rotondës. Sipas Panidhës, duhet bërë sistemimi i sheshit dhe krijimi i kushteve optimale teknike. Dhe më emergjentja është vendosja e magjistralit të ujërave të zeza, që aktualisht kalojnë nëpërmjet infrastrukturës së ujësjellësit, i cili kalon përmes Rotondës.
Lind nevoja e krijimit të një traseje të re.


"Në rast se në të tri këto faza arrijmë t'i mbyllim me sukses sipas pritshmërisë, kalojmë në fazën e katërt që është projekti i "grimit". Sot aty nuk ka asnjë njeri, asnjë ciceron, nuk ka asnjë person që të shoqërojë njerëzit e interesuar për të njohur vlerat e objektit arkeologjik.


Duhet të angazhohet një njeri që të paktën t'u japë informacionin minimal vizitorëve dhe të informojë për gjendjen e vazhdueshme të sitit arkeologjik dhe Institutin e Monumenteve dhe Institutin e Arkeologjisë.


Po ashtu, edhe ndriçimi i objektit është i domosdoshëm. Një ndriçim që të vërë në dukje elementët me vlerë, për t'u lexuar jo vetëm ditën, por edhe natën", përfundon arkitekti-restaurator Panidha.


Në kalendarin e Institutit të Monumenteve është edhe restaurimi i Torres Veneciane. Për këtë, mendohet të hapet një konkurs arkitekture, ku do të ftohen arkitektë, restauratorë që të paraqesin idetë e tyre për mënyrën sesi e konceptojnë ata objektin restaurues.


Arkitekti Luçjano Bojaxhiu tregon se tani po punohet mbi këtë ide dhe më vonë do të hapet një ekspozitë me projektet pjesëmarrëse në konkurs.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›