E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i Bibliofilisë për "Statutet e Drishtit"

Lajmi tjetër është se Revista "Diturija" e Lumo Skëndos, tani gjendjet e plotë në Bibliotekën Dixhitale të Bibliotekës Kombëtare


Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" iu dha veprës "Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit" me autorë Dr. Musa Ahmeti dhe Dr. Etleva Lala, botim i "Ombra GVG". Çmimi iu dorëzua drejtuesit të shtëpisë botuese Gëzim Tafa nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.


Nga botimet e vitit 2009, në finalen e edicionit të katërt "Lumo Skëndo", kishin kaluar
kryesisht vepra studimore, monografi, publicistikë, ndër to edhe një botim, "Fati i Shqipërisë" me autor Mit'hat Frashërin, emrin pseudonim të të cilit mban çmimi. Kryetari i jurisë Aurel Plasari vlerësoi ngritjen e nivelit të editorisë shqiptare nga viti në vit dhe prirjen e "më shumë se një shtëpie botuese për botim me kulturë të lartë të veprave".


Ndër botimet Albumi "Shima" i Toena-s, "Komedia Hyjnore" Dante Aligeri nga "Argeta LMG", Përkthimi në gegërisht i biblës nga Kostandin Kristoforidhi, botim i Shoqërisë Biblike, "Pylli i Mrekullive" Tony Wolf nga EduAlba, vepra monografike "Mjeda" botim autor nga Mentor Cuku, "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Abas Ermenjit nga Botimet "Balli i Kombit" dhe "Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë" i Nathalie Clayer, Botime "Përpjekja".


Siç shihet dominojnë vepra historike që hedhin dritë në epoka të pandriçuara mirë nga historia e djeshme zyrtare. Janë kryesisht botime me lidhje të fortë, si për të mbajtur peshën e punëve të kombit që shtrëngohen mes kapakëve.


Plasari theksoi se juria e përbërë nga disa specialistë të librit, pranë Bibliotekës Kombëtare, bibliotekave të rretheve, të Ministrisë së Kulturës dhe një përfaqësuesi të Shoqatës "Lumo Skëndo", përdori "mjetin demokratik, votën" për të vlerësuar botimin më të mirë.


Për ministrin e Kulturës Xhaferraj "krijimi i standardeve dhe ruajtja e traditës është një sfidë që i vihet përpara institucioneve shtetërore, krijuesve, intelektualëve, grupeve të interesit dhe krejt shoqërisë shqiptare", e në këtë kontekst, Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo", përbën një vlerë si në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve, ashtu edhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare.


"Ky çmim i përvitshëm, i vetmi në llojin e tij në vendin tonë, synon të promovoje dhe nxisë cilësinë në fushën e editorisë për t'iu dedikuar veçanërisht përkrahjes së prirjeve moderne, emancipuese dhe estetike të botuesve shqiptarë."


Lajmi tjetër me rëndësi që u njoftua aty nga specialistë të Bibliotekës Kombëtare ishte për Revistën "Diturija" e Lumo Skëndos.


Ky periodik që qarkulloi ndërmjet viteve 1909-1929 , tani gjendet e plotë në "ALBANICA" e cila përfaqëson Bibliotekën Digjitale Albanologjike, me vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.


"ALBANICA" u inaugurua në dhjetor 2009 me dixhitalizimin e plotë të "Albania"-s së Faik Konicës.


Aty i tha se procesi i dixhitalizimit të revistës është bërë me mjete "jo shumë të sofistikuara", megjithatë ajo mund të shfletohet dhe shërbehet sipas standardeve të kërkimit dixhital. Ky rast u shfrytëzua për t'i bërë të ditur dhe për t'iu lutur zotit ministër të Kulturës për nevojat e Bibliotekës Kombëtare në pajisje dhe mjete profesionale që do të ndihmonin në procesin e dixhitalizimit.


"Diturija: e përkohëshme shqip literare dhe diturake" ishte një përmuajshme me qendër në Selanik, Bukuresht dhe Tiranë, vendet ku jetoi dhe veproi për një kohë Mithat Frashëri i cili e drejtoi për njëzet vjet, me disa ndërprerje deri në vitin 1929. Gjithsej dolën 40 numra.


Problemet kulturore, letrare dhe gjuhësore ishin shqetësimet që kryesore që ngrinte revista. Të ftuar për t'i trajtuar ato ishin pena të një niveli të padikustueshëm shkencor si Aleksandër Xhuvanni, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj.


Në numrat e saj të parë revista hapi rubrika të veçanta për çështje të gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar. Disa nga këto quheshin: "Tribunë gramatike dhe gjuhësie", "Të vëmë re kur shkruajmë", "Fjalëtore e vogëlë".


Pas viteve nëntëdhjetë, Uran Butka një nga përfaqësuesit e Shoqatës "Lumo Skëndo" përgatiti për botim në antologji me shkrime të zgjedhura nga Revista.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›