Shkodër, kërkohet parandalimi i zjarrvënieve të qëllimshme
Takimi/ Identifikimi i zjarrvënësve ka qenë një nga objektivat e theksuar nga prefekti Cungu, ndërsa krerët e komunave kërkuan karburant për zjarrfikëset
SHKODËR - Njësitë e qeverisjes vendore duhet të bashkëpunojnë me organet përkatëse lidhur me identifikimin e personave që shkaktojnë vënie zjarri të qëllimshme. Kështu ka deklaruar prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu gjatë një mbledhjeje për marrjen e masave për parandalimin e zjarreve.
Ai ka theksuar se vitet e kaluara ka pasur raste të zjarrvënies së qëllimshme , e bërë kjo për ripërtëritje kullotash apo dhe për hakmarrje të ndryshme e qëllime të tjera.
Prokuroria ka nisur hetimet për këto raste, por ajo duhet ndihmuar nga drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore , në identifikimin e personave që e bëjnë këtë duke dëmtuar pasurinë e përbashkët, ka shtuar Cungu. Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit janë shprehur edhe për mangësitë në mjete apo fonde lidhur me përballimin e situatave të zjarreve që shfaqen më së shumti në stinën e verës.
Sipas kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Gjon Marku, nuk ka asnjë mjet në dispozicion të kësaj njësie të qeverisjes vendore, ndërsa drejtori i shërbimit pyjor në Pukë, Gjin Filipaj, ka shtuar se nga tre mjete që ka në dispozicion ndërmarrja e tij, dy janë të bllokuara dhe nuk punojnë pasi nuk ka fonde për to dhe pse teknikisht janë në gjendje pune.
Prefekti Cungu u ka kërkuar njësive të qeverisjes vendore që të parashikojnë në zërat rezervë të fondit të tyre edhe shpenzimet për karburant dhe akomodim të forcave të ushtrisë që angazhohen për shuarjen e zjarreve që shfaqen në zonat e tyre.
Siç kanë theksuar dhe drejtuesit e njësive të forcave të armatosura, ata me mjetet e tyre vihen në dispozicion të operacioneve për shuarjen e zjarrit sa herë që u kërkohet, por sasia e karburantit që kanë në dispozicion është e kufizuar dhe nuk i përfshin këto operacione.
"Bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore nuk ka qenë në nivelet e duhura dhe ka ndodhur që ne kemi marrë detyrë dhe kemi shkuar për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve, por nuk kemi gjetur asnjeri për të na treguar e dhënë informacion. Ndodh që qëndrojmë me ditë për të shuar zjarrin, por nuk kemi vend akomodimi", -ka theksuar nënkolonel Ali Mali, komandant i brigadës së reagimit të shpejtë në Vaun e Dejës.
Mjetet e policisë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi janë në gatishmëri dhe dy muajt e fundit janë riparuar, ndërsa në plazhin e Velipojës gjatë sezonit turistik në afërsi të rezervatit të gjuetisë do të jetë i vendosur një mjet zjarrfikës për të siguruar ndërhyrjen e shpejtë në çdo rast rënieje zjarri, kanë theksuar drejtuesit e këtij sektori. Gjatë takimit është diskutuar edhe për ripyllëzimin e malit të Taraboshit apo dëmtimet e shumta në pyje në zonën e Rrencit në Shkodër.