E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu i Apolonisë rihapet pas 20 vjetësh

Muzeu më i madh Arkeologjik i një parku në Shqipëri ekspozon rreth 750 objekte arkeologjike, 1 thesar monedhash antike

Është rihapur pas njëzetë vitesh Muzeu Arkeologjik i Apolonisë. Në muze do të ekspozohen rreth 750 objekte arkeologjike, 1 thesar monedhash antike etj. Është Muzeu më i madh Arkeologjik i një parku në Shqipëri, në hapjen e të cilit morën pjesë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, përfaqësues të OKB-së, UNESCO-s etj. Sipas ministrit Bumçi, nga një studim i kryer prej organizmave ndërkombëtare ka rezultuar se pasuria turistike e vendin tonë krijon të ardhura më shumë se sa resurset e pasura e të mrekullueshme natyrore të Shqipërisë. Dhe një nga këto potenciale, sipas tij, është edhe qyteti antik i Apolonisë dhe ky muze. Projekti i restaurimit të muzeut të Parkut Arkeologjik të Apolonisë ka nisur disa vite më parë pas një marrëveshjeje të OKB-së, UNESCO-s dhe qeverisë shqiptare për ruajtjen e vlerave arkeologjike. Rreth 750 objekte të periudhave të ndryshme të zhvillimit të qytetit antik të Apolonisë janë ekspozuar në një godinë me një sipërfaqe prej më shumë se 1000 m2. Muzeu i Apolonisë daton që prej viteve ‘80, por ai u mbyll për shkaqe sigurie pas viteve ‘90. Objektet arkeologjike që prej asaj kohe ruheshin në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Tashmë ato i janë rikthyer vendit ku u zbuluan, Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›