Besa Llugiqi: Finalistja e “Marie Krajës” rikthehet me “Turandot”
Kosova nuk ka ende një Teatër Opere dhe Baleti, por “prodhon” këngëtarë lirikë, që të vetmen skenë ku mund të interpretojnë kanë Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Për operan “Turandot”, Zhani Ciko ka përzgjedhur një soprano nga Kosova
Besa Llugiqi: Finalistja e “Marie Krajës” rikthehet me “Turandot”
Sopranoja Besa Llugiqi sot debuton në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB) në operan “Turandot”. Ajo është një soprano e re nga Kosova, që për herë të parë ngjitet në një skenë shqiptare, duke qenë se Kosova ende nuk ka një Teatër të Operas dhe Baletit. Zhani Ciko thotë se TKOB-i është një shans për të gjithë këngëtarët lirike shqiptarë, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova. Ai kishte dëgjuar për talentin e kësaj sopranoje të re dhe e kishte ftuar në audicionet për operan “Turandot”, audicion që e shpalli fituese për të interpretuar rolin e Luis në operan e Giacomo Puçinit. Besa ka më shumë se një muaj që është vendosur në Tiranë për të qenë e pranishme në çdo moment të provave të operës puçiniane.
Si e morët rolin e Luis në operan “Turandot”?
U prezantova në audicionin që ka qenë më 15 korrik në Teatrin e Operas, ku Zhani Ciko, Edit Mihali etj., që ishin pjesë e jurisë, më besuan që unë të jem pjesë e kësaj shfaqjeje shumë të rëndësishme, e cila më dha mundësinë të prezantohem për herë të parë para publikut shqiptar. Për mua ishte një vlerësim dhe gëzim shumë i madh. Pas kësaj fillova provat për operën ”Turandot” që kanë nisur në nëntor e deri tani. Unë debutoj me këtë opera dhe për mua është nder shumë i madh.
Fakti që jeni përballë një publiku shqiptar, a ju ndihmoi që ta realizoni më mirë rolin që ju ishte besuar?
Shumë. Isha shumë më komode sepse kam pasur gjithë ata njerëz afër që më kanë ndihmuar gjatë gjithë kohës, është e njëjta gjuhë, është kombi që të bën të ndjehesh shumë rehat. Përveç artistëve, një ndihmë të madhe për të qenë pjesë e kësaj opere të madhe dhe për ta realizuar sa më mirë rolin tim më kanë dhënë dhe zoti Zhani Ciko dhe zonja Edit Mihali. Unë i vlerësoj shumë dhe i falenderoj. Ndërsa para publikut shqiptar ndjej një emocion dhe një përgjegjësi shumë të madhe dhe normalisht, kur ke në krah artistë kaq të mëdhenj dhe të njohur nga publiku shqiptar, të prezantosh vendin tënd është një përgjegjësi shumë e madhe. Aq më shumë që unë nuk njihem nga publiku shqiptar ose njihem shumë pak, ndaj ndjej shumë përgjegjësi por gjithashtu dhe shumë kënaqësi.
Po vështirësi a hasët në realizimin e këtij roli, i cili është një rol që spikat në këtë opera?
Nuk ishte e vështirë. Përkundrazi, e mendoja më të vështirë, por doli krejt e kundërta. Ishte i lehtë edhe pse si herë e parë duhet të jetë e vështirë për çdo artist, por unë isha përgatitur shumë për këtë rol e duhej të isha e gatshme për vështirësitë, por që m’u lehtësua shumë falë bashkëpunimit me artistët e tjerë.
Po faktin që Kosova nuk ka ende një skenë të operas dhe është Teatri i Operas dhe Baletit në Shqipëri ai që ka hapur dyert edhe për këngëtarët lirikë kosovarë, si do ta komentonit?
Artisti duhet të rritet, sepse gjithë ai investim që ke bërë me studimet bie poshtë nëse nuk ke një skenë ku të shfaqesh dhe të kesh një eksperiencë për të treguar gjithçka ke mësuar në shkollë. Vlera kryesore për një artist është skena dhe Teatri i Operas dhe Baletit i ka hapur dyer për shumë artistë nga Kosova dhe për këtë e vlerësojmë shumë.
Po bashkëpunimi me regjisorin italian?
Kam mësuar shumë gjëra prej tyre dhe unë kam pasur fatin që të jem bashkë me ta në shfaqje. Është një ndër eksperiencat më të bukura që kam pasur.
Përveç skenës shqiptare, në çfarë skenash të tjera ka interpretuar Besa Llugiqi?
Kam marrë pjesë në festivalin e zërave lirikë “Jorgjie Truja”, ku kam zënë vendin e parë dhe gjithashtu në “Marie Kraja”, ku kam qenë një nga finalistët e vitit 2009 e ku pas kësaj kam marrë një ftesë nga akademia “La Scala” për të qenë pjesë e kësaj akademie dhe tani jam pjesë e operës “Turandot” në Teatrin e Operas dhe Baletit me një rol shumë të rëndësishëm, më i rëndësishmi që unë kam pasur deri tani në karrierën time.