Retro/Histori: 7 dhjetor 1941 Sulmi mbi Pearl Harbor
Sulmi mbi Pearl Harbor, i quajtur “Operacioni Hawai” ose “Operacioni Z”, nga japonezët dhe “Beteja e Pearl Harbor-it” nga amerikanët, ishte një sulm i papritur ushtarak i marinës dhe aviacionit perandorak japonez kundër bazës detare ushtarake amerikane të Pearl Harbor-it në Hawai mëngjesin e 7 dhjetorit 1941. Ditën tjetër amerikanët i shpallën luftë Japonisë, gjë që çoi automatikisht në futjen e ShBA-ve në Luftën e Dytë Botërore. Sulmi ishte planifikuar si aksion parandalues për të penguar influencën e Flotës Amerikane të Paqësorit në luftën që Perandoria e Japonisë po planifikonte në Azinë Juglindore kundër Britanisë dhe Holandës, sikurse edhe Shteteve të Bashkuara në ishujt Filipine. Baza u sulmua nga aviacioni japonez në dy valë (353 avionë të lëshuar nga 6 aeroplanmbajtëse). Katër luftanije amerikane u mbytën dhe katër të tjera u dëmtuan. Japonezët gjithashtu dëmtuan ose fundosën tre destrojerë, kruzera, anije armësh kundërajrore dhe minahedhëse. U shkatërrua 188 mjete fluturimi amerikane dhe u vranë 2402 njerëz si dhe u plagosën 1282. Humbjet e japonezëve ishin të lehta: u shkatërruan 29 avionë dhe 5 mini-nëndetëse dhe 65 vetë u vranë ose plagosën. Një marinar japonez u zu rob. Sulmi u bë pjesë e përfshirjes në Luftën e Dytë Botërore dhe i tronditi amerikanët. Mbështetja e brendshme për izolacionizmin, i cili kishte qenë e fortë, u zhduk. Pavarësisht disa precedentëve historikë të sulmeve ushtarake të palajmëruara, mungesa e çdo sinjali formal nga Japonia, edhe pse ndërkohë dy vendet ishin në negociata, e detyroi presdientin Franklin D. Roosevelt ta shpallte 7 dhjetorin 1941 “një ditë përjetësisht të zezë”.