Muzeu i pavarësisë ndërron pamjen
Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë do të ketë një ‘fytyrë’ ndryshe.
Nga Express më 21 korrik 2011 në ora 09:03
Hapësirat e muzeut do të rikonceptohen, duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirën e brendshme dhe duke i zhvendosur jashtë ndërtesës zyrat e administratës së objektit me vlerë historike dhe arkitekturore, ka deklaruar drejtori i muzeut, Agron Shehu.
Për këtë arsye, përmes projektit është propozuar nga Ministria e Kulturës, që në zonën e muzeut të ndërtohen hapësira shtesë ku do të funksiononte administrata. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të krijohet një hapësirë tjetër brenda ndërtesës për ridimensionimin e përmbajtjes së saj, por edhe simbolikisht do të ndahen vlerat historike nga pjesa administrative e muzeut.
Ndërtesa ku ndodhet Muzeu i Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, është ndërtuar në shekullin XIX. (BW)