Muzhaqi: Përgatisim brezin e ri për sfidat e botës teknologjike

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka qenë sot në shkollën 9-vjeçare “Yzberisht”, ku u zhvillua edhe një orë mësimore kodimi me nxënësit.
Përmes lojës së kodimit dhe mësimit në laboratorët inteligjentë të instaluar në shumë shkolla të vendit, synohet që çdo ditë e më tepër, fëmijët të zhvillojnë aftësitë kritike dhe logjike përmes lojës së kodimit, duke rritur interesin dhe dëshirën për të mësuar.
“Në shkollën 9-vjeçare “Yzberisht”, ku zhvilluam një orë mësimore me të vegjlit, çdo nivel i përfunduar me sukses i motivonte ata të kërkonin objektiva të reja, jo vetëm në lëndën e kodimit, por edhe në lëndë të tjera, duke arritur rezultate më të larta në mësime,” shprehet Muzhaqi.
Sipas ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, synimi është që të forcohen dhe zgjerohen këto programe, duke përgatitur brezin e ri për sfidat dhe mundësitë e së ardhmes në botën e teknologjisë.
Kujtojmë që falë investimit të deritanishëm në laboratorë “Smart”, mbi 35 mijë nxënës në arsimin fillor po mësojnë në këtë vit të ri shkollor përmes platformave interaktive.
Me implementimin e fazës së tretë, numri i shkollave të pajisura me SmartLab-e në të gjithë vendin do të shkojë në 915, ndërsa numri i laboratorëve në 970, duke përmbushur kështu edhe një nga objektivat kryesorë për pajisjen e të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar me infrastrukturën e nevojshme, që do t’i bëjë nxënësit të aftë të përshtaten me kornizën e re kurrikulare të përmirësuar, që mbështetet gjerësisht te teknologjia për zhvillimin e procesit mësimor dhe më të përgatitur edhe përballë sfidave të tregut të punës, që kërkon profesionistë të zotë të pajisur me aftësi digjitale.
1 nga 8/r.e/a.f/