Papa Françesku pret studentë e akademikë shqiptarë, të pranishëm Hasani dhe Manastirliu

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Papa Françesku ka zhvilluar sot në Vatikan një Audiencë të Përgjithshme me rreth 100 studentë shqiptarë dhe akademikë nga universitete italiane dhe shqiptare. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ky aktivitet forcon lidhjet kulturore dhe arsimore mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, ku Papa Françesku ka zhvilluar një Audiencë të Përgjithshme para rreth 100 studentëve shqiptarë dhe akademikëve nga universitete të ndryshme të Shqipërisë dhe Italisë, si: Universiteti i Tiranës, Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Mjekësisë Tiranë, Universiteti “Mesdhetar”, Universiteti i Studimeve të Perugia-s, Universiteti “La Sapieza” Itali, dhe Universiteti “Roma Tree” Itali.
Gjatë Audiencës se Përgjithshme, Papa Françesku vuri theksin tek rëndësia e vlerave humane dhe angazhimi i përbashkët në promovimin e paqes, drejtësisë dhe vëllazërisë. Pas Audiencës së Përgjithshme, Ati i Shenjtë Françesku përshëndeti ministrat shqiptarë me delegacionet, studentët dhe akademikët e pranishëm. Pjesëmarrësit bënë gjithashtu edhe kalimin e Portës së Shenjtë, e cila hapet një herë në 50 vjet. Selia e Shenjtë e ka shpallur vitin 2025, si Vit Jubile. Sipas traditës biblike, Viti Jubilar është një vit i veçantë i faljes universale.
Në Vatikan, ministrat Hasani dhe Manastirliu zhvilluan një takim edhe me Shkëlqesinë e Tij, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Përgjatë këtij takimi, palët u fokusuan në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe tek angazhimi i përbashkët për të çuar më lart progresin e këtyre marrëdhënieve.
Dy ministrat u takuan gjithashtu edhe me studentë shqiptarë dhe akademikë të universiteteve shqiptare dhe italiane. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi rolin që ka rinia si burimi më i madh i vendit për të tashmen dhe të ardhmen.
“Historia na ofron një leksion të vyer: janë të suksesshëm e të begatë ata kombe që dinë t’i bashkojnë dhe jo t’i mbajnë larg, pa i shfrytëzuar, potencialet e tyre. Ajo që vlen për t’u theksuar është që, të gjithë ne, të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria e vogël, veç pasurive të tjera, shpirtërore e materiale, ka edhe një thesar me një potencial të jashtëzakonshëm: rininë,” tha ministri Hasani.
Për sa i përket diasporës, ministri Hasani nënvizoi faktin se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash për t’i dhënë një rol të ri dhe një fytyrë të re diasporës, duke e shndërruar në një faktor aktiv të zhvillimit kombëtar.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në Vatikan, merr pjesë në Audiencën e Për... 1 nga 9/r.e/a.f/