E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika Rock pushton rrugët e ish-Bllokut

TIRANË- Pesë grupe rroku kanë performuar mbrëmjen e sotme në zonën pedonale të ish-Bllokut, muzikë live nga albumet e tyre, në koncertin “Rock the Block”. Ky edicion i tretë i këtij koncerti në Tiranë, ka sjellë grupet “Rune & The Brakenmen” dhe “Some Sharks” nga Danimarka, “Drowning on Dry Land” nga Franca, “Arizona Baby” nga Spanja, si dhe “Obliq” nga Suedia.

Grupet interpretuan me instrumentet, kitarë melodi, kitarë bas, perkusion e tastierë synthetizer, hitet e tyre dhe muzikë nga repertori i albumeve të tyre, secili për rreth 45 minuta.

Bandat muzikore interpretuan muzikë që varion nga classic rock tek folk pop rock, apo rock & funky fusion dhe demostruan para publikut të Tiranës rrymat e tendencat aktuale të zhvillimeve muzikore të viteve të fundit në vendet nordike si dhe në Francë e Spanjë.

“Rock the Block” solli një pjesë të kulturës europiane dhe të frymëzimit shpirtëror aktual të kësaj muzike, në njërën prej rrugëve të veçanta të qytetit tonë, ku fundjava më shumë se kurrë popullohet nga të rinjtë.

“Rock the Block” për herë të parë u organizua në mars të vitit 2009, ndërsa edicionin e dytë e pati në Ditën e Verës të vitit 2010, 14 mars. Në kuadër të këtij aktiviteti, në kryeqytet kanë performuar grupet si: “Magnetica”, “Artificial Brothers”, “Bel Esprit”, “Martin Kilger backed by Sarahjaminn”.

KUSH JANË GRUPET
“Rune & The Brakenmen” nga Danimarka, është një grup me katër djem që luajnë me kitarë bazuar në muzikën rock dhe për skena ku interpetohet live. Muzikën e tyre e shkruan pjestari i grupit Rune.

“Some Sharks” është një grup instrumental me katër djem që vijnë nga Kopenhagen. Muzika e tyre live është e fuqishme dhe poli-ritmike, por në të njëjtën kohë melodioze. Frymëzimi i tyre buron nga bandat dhe artistët si: “Weather Report”, “Level 42”, “Return to Forever”, Stevie Wonder, Santana dhe Michael Jackson.

“Drowning on Dry Land” është një grup francez i muzikës folk dhe rock i krijuar në Paris një vit më parë. Albumi i tyre i parë, “Mbytjet mbi tokën e thatë” prezanton tetë pjesë të muzikës folk pop rock. Kanë interpetuar në koncerte të ndryshme në Paris dhe presin të marrin pjesë në Festivalin e Marsejës, tani në qershor.

“Arizona Baby” është një trio spanjolle që kanë nxitur popin spanjoll me një aventurë të papërmbajtshme. Grupi është i përbërë nga Javier Vielba (zëri), Rubén Marron (kitarë) dhe Marcos Ubeda (bateri).

“Obliq”, banda suedeze me katër djem ka si producent anglezin, Matt Karmil, producent gjithashtu i “Portishead”, “Massive attack”, “Sugababes”, etj. Ata kanë zhvilluar turne shumë të suksesshme në Evropë, në vitet 2009 – 2010. Gjatë këtij viti “Obliq” do të realizojnë albumin e tyre të dytë.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›