E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika latine ndez atmosferën në Orikum

SHKRUAN: Ilda Lumani 15-08-2011 13:34

Muzika latine, ajo që të ndez gjakun e të fton në kërcime sensual, ku sytë, shikimi, duart, trupi e këmbët kridhen së bashku për të ndërthurur lëvizje joshëse, dhe ku dy trupa bëhen një! Një bashkëveprim, që së pari kërkon ta ndjesh ritmin se më tej, ajo të rrëmben vetë në vrullin e saj... Nuk është nevoja ta njohësh partnerin dhe grupin, hapat të bëjnë pjesë të së tërës...

Ju kujton kjo, ndonjë histori të jetuar? Një ‘déjà vu’, që do të donit ta provonit? Një ndjesi që do të donit ta rijetonit...? Në club “Mojito” në Orikum, kjo ishte panorama që takoje çdo fundjavë. E, madje, që nuk kërkonte domosdoshmërisht që të vinte mbrëmja për ta përjetuar. Aspak! Pasi kishe pirë kafen e mëngjesit, ishe kredhur njëherë në det dhe kishe marrë rrezet e para të diellit, pista e vallëzimit të priste me krahët hapur. Mos ju duket se kjo ndodh vetëm në rrugët e Brazilit dhe plazhet e Spanjës...?! Ja, që atje në plazhin e mrekullueshëm të Orikumit në “Mojito” mund ta celebrosh ashtu siç je me rrobat e plazhit, me bulëzat e kripura të detit Jon, mjafton të bëhesh pjesë e kësaj aventure verore të papërsëristshme.

Ndërsa rrija në shezlong pranë plazhit të “Mojito”, muzika që të shoqëronte gjithë kohës ndryshoj volum. Disa të rinj, - instruktorë kërcimi, u shfaqën tek pasarela e plazhit dhe nisën të kërcenin ëmbël dhe lehtë këngët-hite të muzikës latine. Ndërsa, dalja e tyre mori vëmendjen e të gjithëve, një nga një pashë që afroheshin vajza dhe djem të rinj për të mësuar lëvizjet dhe hapat një pas një. Nuk kalon pak dhe grupi nis e rritet, bëhen 10 veta, pastaj 20, pastaj… pastaj pasarela nuk i merr më dhe ata nisen duke kërcyer drejt pistës. Aty, ka arritur kulmi i adrenalinës. Kushdo tundohet dhe edhe pse nuk i di mirë hapat që duhet të hedhë afrohet dhe ndjek shoku-shokun. Kështu nisin e motivojnë njëri-tjetrin… Pak nga pak, plazhi zbrazet dhe ç’të shohësh; të rinjtë në pistë, prindërit që mbështesin fëmijët, ndonjë madje guxon të bëhet pjesë e kësaj atmosfere të nxehtë, që vetëm për pak minuta është bërë familjare e gjithë plazhistëve. Instruktorët, ndërkaq janë bërë një me turmën dhe temperature sa vjen e rritet, në pistë. E, ashtu si në klipet e Shakirës, nga lart bie ujë në formë shatërvani, më tej fllucka sapuni që nuk lënë njeri pa ngazëllyer, një djalosh i hedh një shishe me ujë në kokë të dashurës, e cila vijon të kërcejë më me pasion se më parë…. Diku hapet një shampanjë, e cila derdhet mbi kokat e balerinëve plazhistë… E sikundër fotot që ju sjellim flasin më shumë se këto fjalë mesdreka i gjen të gjithë të përfshirë në këtë show të paparë, në asnjë prej plazheve shqiptare. Një pushuese tradicionale na tregon se “kur erdha para dhjetë ditësh nuk dija të hidhja një hap të kërcimeve latine. Deri në fund të pushimeve më duket se do t’u bashkohem instruktorëve”, pohon ajo me të qeshur. Kjo panoramë është mëse e zakonshme tek “Mojito”. Të premte, ajo kërcehet gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa paraditet e së shtunës e të dielës janë ato më specialet, ku nuk ka kufij moshe, që nga fëmijët e deri tek burrat më indiferentë të mundshëm. Në fund të fundit është një harxhim efektiv i kalorive. Dhe jo vetëm, kënaqësia që përfton nuk ka të krahasuar. Pas kësaj feste gjigande, që nuk e rastis në asnjë plazh të Shqipërisë, largohesh gjithë energji me bulëzat, që lë si shenjë në trup latinia “caliente”, ndërsa deti të fton sërish në freskinë e tij!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›