E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika serioze shqiptare, përpjekje për përcjellje vlerash

Tiranë, 19 janar 21:47 NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Orkestrën e Harqeve “Virtuozët e rinj të Tiranës”, me dirigjent Zhani Ciko, të cilët interpretojnë gjithashtu në orkestra dhe skena prestigjioze ndërkombëtare.

Në takim ishin, Klajd Sahatçi - Koncertmaestër i Teatrit “Scala” – Milano, Gert Kumi - Solist, pedagog dhe koncertmaestro i Orkestrës së Indianas, SHBA, Suela Mullaj - soliste e njohur në Europë dhe koncertmaestër në Union Chamber Orchestra, Arben Skënderi - Solist dhe pjesëtar i kuartetit “Gaudi`”, Paris, Fatlinda Thaçi - Koncertmaestër i Orkestrës “Pomeriggi Musicali”, Milano, Suela Piciri, Koncertmaestro e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe shumë instrumentistë shqiptarë që punojnë në orkestrat më të njohura të Europës.

Berisha, pasi u uroi mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë që një grup instrumentistësh virtuozë shqiptarë ia kanë dalë të shkëlqejnë në orkestrat dhe skenat botërore. Kryeministri tha se këta artistë janë ambasadorët më të mirë të integrimit të vendit dhe nderojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nuk ka përfaqësues më të mirë se ju, theksoi Kryeministri, për të përcjellë dhe forcuar imazhin e Shqipërisë në botë, përmes paraqitjes së vlerave më të mira kulturore të vendit.

Kryeministri shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për të gjithë këta artistë të mirënjohur shqiptar që shkëlqejnë në skenat e botës dhe përfaqësojnë denjësisht vendin.

Instrumentistët e Orkestrës së Harqeve “Virtuozët e rinj të Tiranës” falënderuan Kryeministrin Berisha për pritjen dhe për vëmendjen e treguar ndaj tyre dhe theksuan se ata do të vazhdojnë të kontribuojnë përmes artit të tyre, për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e shpejtë të saj.

Instrumentistët e Orkestrës së Harqeve “Virtuozët e rinj të Tiranës”, do të japin nesër, 20 janar 2009, një Koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Orkestra e Harqeve Tiranë është krijuar rreth 20 vjet më parë, me nxënës 12-16 vjeçare të Liceut Artistik në Tiranë dhe është e njohur për turnetë e saj të suksesshme në shumë vende të botës dhe për vlerësimet e marra nga shtypi ndërkombëtar për profesionalizim dhe muzikalitetin e spikatur.

Kjo orkestër ka fituar çmime të larta në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, si në Belgjikë, Francë, Hungari, Greqi, Austri etj. Në vitin 1995, gjatë një turneu në Francë, iu dha edhe emri “Virtuozët e rinj të Tiranës”.

e.l/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›