E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënonte veten që të përfitonte azil politik në BE

Një person ka shkuar në polici dhe ka deklaruar se, është kërcënuar me anë të letrave nga AKSH, Garda e Car Lazarit e të tjera.

Suharekë, 20 Janar, 12:08, NOA - Kërcënonte veten me qëllim që të përfitonte azil politik të vendet e BE-së. Ngjarja ka ndodhur në Suharekë, Kosovë, kur një person ka shkuar në polici dhe ka deklaruar se, është kërcënuar me anë të letrave nga “AKSH”, “Garda e Car Lazarit” e të tjera.

Policia e Kosovës, tha për agjencinë NOA se, i dyshuar nga fshati Nishor i Suharekës kishte paraqitur së paku tri raste të kërcënimit përmes letrave të shkruara, siç thoshte i dyshuari, nga organizata tashmë të dëgjuara si “AKSH”, “Garda e Car Lazarit” e të tjera.

Policia kishte filluar menjëherë me hetimin e këtyre kërcënimeve dhe njëkohësisht ka analizuar deklaratat e ankuesit.

Lidhur me rastin hetuesit policor kanë dyshuar në seriozitetin e deklarimeve të ankuesit dhe krejt në përfundim ata kanë kërkuar miratimin e Prokurorit për bastisje të shtëpisë së viktimës (tani në cilësinë e të dyshuarit).

Gjatë bastisjes policët kanë gjetur një makinë shkrimi të vjetër të llojit “Triumph Contesa” me të cilën dyshohej se janë shkruar letrat. Gjatë bastisjes është gjetur edhe një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62 mm. dhe 203 fishekë të kalibrit të njëjtë.

Sendet e gjetura, në cilësi të provave  materiale, janë sekuestruar nga policia dhe janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e krim-teknikës së policisë së Kosovës.  Ekzaminimi ka treguar se letrat kërcënuese janë shkruar nga po e njëjta makinë shkrimi.

Gjatë punës hetimore, policia ka kuptuar edhe motivin që i dyshuari  kanoste vetën ishte rregullimi i dokumentacionit për qëndrim në shtete të jashtme që të paraqitej viktimë e kanosur nga grupe të ndryshme.

Pas përfundimit të hetimeve, policia ka ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarit për deklarim të rrejshëm.

a.b/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›