E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tedi Papavrami: “Muzika është gjuha ime”

19/01/2009  Angazhimet, aktiviteti artistik, puna me veprën e Kadaresë dhe sprova si aktor. Familja, puna si profesor në konservatorin e Gjenevës dhe miqësia në një rrëfim të violinistit...

Tani të gjithë e njohin Tedin, djaloshin e dikurshëm të pasionuar pas violinës, të cilit qeveria franceze i akordoi një bursë studimi në vitin 1982.

Emri i tij prej vitesh ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe është bërë sinonim i talentit dhe virtuozitetit në skenat më të njohura, jo vetëm të Evropës. Megjithatë, duket se ai nuk kënaqet lehtë. Gjithmonë në kërkim të përsosurisë dhe përvojave të reja, Papavrami nuk ngurron të provojë veten edhe përtej muzikës. Shembull për këtë është përkthimi, i kurorëzuar bukur me sjelljen në frëngjisht të veprave të Kadaresë, por edhe aktrimi...

Ndërkohë koncertet pasojnë njëri-tjetrin. E të gjitha këto vijnë natyrshëm tek ai nën një objektiv të thjeshtë e të vërtetë: të luajë mirë e të përparojë.

- Jemi ende në një fillimviti. Mund të rrëfeni diçka për angazhimet tuaja? Sa i keni realizuar objektivat që i kishit vënë vetes për 2008-n?

- Në mars do të luaj në recital me piano në muzeun “Orsay” në Paris, pastaj, po në muajin mars, do të luaj në Florida me orkestër koncertin e Henry Dutilleux. Në prill do të luaj disa herë programe të ndryshme në festivalin "Printemps des arts" në Montekarlo, më 15 maj koncertin e tretë të Saint Saens dhe poemën e Ernest Chausson me orkestër në Gjenevë, ndërsa në qershor do të regjistroj një disk të ri me orkestrën e Liege, në Belgjikë. Po në mars do të dalë në treg disku i fundit që kam bërë në piano me kuartetin dhe kuintetin e Schumann. Veç kësaj po mbaroj përkthimin e romanit të Ismail Kadaresë "Darka e gabuar". Ja disa projekte. Sa për objektivat, unë nuk kam objektiva lidhur me karrierën, thjesht ngaqë nuk varen nga unë. Objektivi i vetëm është të luaj sa më mirë dhe të përparoj.

- Që në vitin 1982 jeni larguar në Francë. Sa i ndiqni zhvillimet artistike në Shqipëri? Sa francez dhe sa shqiptar ndiheni?

- Duke jetuar jashtë dhe duke qenë shumë i zënë, në fakt nuk kam shumë mundësi të ndjek zhvillimet artistike në Shqipëri. Mbase me kalimin e kohës e ndiej veten më tepër muzikant, se, në fund të fundit, muzika është gjuha që ka zënë më shumë vend në jetën time, ashtu si krijuesit e saj, me të cilët kaloj pjesën më të madhe të ditëve të mia që nga mosha 5-vjeçare.

- Në jetën e njeriut ka çaste kyçe, që shpesh vendosin për atë që do të vijë më pas. Mendoni se i tillë ka qenë çasti kur provuat për herë të parë të luanit në violinë?

- Sigurisht, kontakti i parë me violinën ka qenë i tillë, por nuk kam kujtim nga ky.

- Mund të nënvizoni ndonjë tjetër moment që ka ndikuar në rrjedhën e jetës suaj si muzikant ndër vite?

- Ka pasur shumë të tillë si në çdo jetë: kur kam luajtur për flautistin francez Alain Marion, që më ftoi të studioja në Francë; kur babai im erdhi në Francë; hera e parë që kam dëgjuar një disk të Jasha Heifetz; kur kam dëgjuar në koncert Nathan Milstein, Isaac Stern e shumë të tjera.

- Veç muzikës një pjesë e mirë e punës suaj lidhet edhe me letërsinë. ǒvend zë kjo e dyta te ju? Përveçse shijoni dhe përktheni letërsi, ju pëlqen të shkruani?

- Ky aktivitet është më i rëndësishmi për mua pas violinës. Më pëlqen shumë, aq më tepër që është diçka e paparashikuar në jetën time dhe asgjë përveç dëshirës sime nuk më ka detyruar ta bëj. Më ka pëlqyer të shkruaj për veten, do të më pëlqente ta bëja, por nuk më duket me interes, në qoftë se kjo nuk është një nevojë e thellë. Nuk më duket që kam gjëra me interes për të shkruar.

- Mund të rrëfeni diçka nga ato që keni shkruar, mbase ndonjë fletë ditari të jetës suaj, nëse e ruani një të tillë?

Kam mbajtur ditar në frëngjisht gjatë moshës 14–17-vjeçare. Preokupimet e mia në atë kohë ishin loja ime në violinë dhe vajzat. Por nuk më pëlqen ta lexoj. Ditarët kanë gjithmonë diçka të pasinqertë, ku njeriu e vë veten në skenë nën shikimin e një lexuesi imagjinar. Prandaj e ndalova.

- Emri juaj lidhet ngushtë edhe me përkthimin e veprave të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Pse kjo tërheqje ndaj Kadaresë? Cili ka qenë kontakti i parë me veprën e tij?

- Unë kam përkthyer vetëm vepra të Ismail Kadaresë ose mbi Kadarenë: 8 vepra të tij dhe dy vepra mbi të. Fillimi i këtij aktiviteti që lidhet me të qe një rastësi. Në vitin 1999 provova të përktheja disa faqe dhe ia dhashë. Me Claude Durand, botuesin e tij, ata vendosën të më propozojnë të përktheja librat e tij. Literatura e Kadaresë më ka tërhequr që në moshë të vogël, kam filluar të lexoj librat e tij që në moshën 9-vjeçare. Është një nga shkrimtarët më të çmuar të epokës sonë dhe për fat të shqiptarëve (dhe timin) është shqiptar, shkruan shqip dhe në shumicën e rasteve mbi Shqipërinë.

- Një tjetër fushë ku ju gjithashtu jeni “provuar” është filmi. Mund të flisni për këtë pjesë? Krahas muzikës sa aktor e ndieni veten?

- Kjo ishte një rastësi edhe më e papritur. Jeanne Moreau më pa në një emision ku jepja një intervistë dhe i tha shoqes së saj Josée Dayan, që realizonte "Les liaisons dangereuses" me Catherine Deneuve dhe që kërkonte një aktor për rolin e Danceny, që mendonte se do të shkoja për këtë personazh. Kalova një audicion dhe më angazhuan. Pastaj xhirova dhe "Lutja e dashurisë" të Ylljet Aliçkës në Shqipëri me Arta Dobroshin, nën drejtimin e Artan Minarollit, por u bënë vite që filmi nuk mbarohet dhe nuk del për arsye që nuk arrij t’i marrë vesh.

Nuk e ndiej veten aktor, sidomos që nuk është si muzika, diçka që punohet çdo ditë me vetveten, edhe tek aktorët profesionalë.

- Thuhet shpesh se një njeri njihet nga gjërat e vogla. Cilat janë ato gjëra “të vogla“ që sipas jush e bëjnë Tedin të jetë Tedi? Mund të zbuloni ndonjë ves, zakon apo ato gjëra pa të cilat e përditshmja dhe jeta juaj nuk do të ishte kjo që është?

- Jeta ime ka qenë gjithmonë pak e veçantë. Jam në mënyrë të vazhdueshme i pakënaqur nga sasia dhe kualiteti i punës që bëj. Më duket vetja dembel. Shqiptarët nuk janë njerëzit më punëtorë në botë; mbase nga kjo anë kam mbetur i tillë. E bëj punën, por jo pa dhunë ndaj vetvetes.

- Atëherë në këtë raport me punën, ç’vend zë familja dhe miqtë te ju? Si rrjedh një ditë e zakonshme juaja?

- Zgjohem në orën 7:00, filloj të studioj rreth orës 8:30. Rreth orës 14:00 shkoj për drekë në qendër të qytetit, pastaj rreth orës 15:30 ulem në një kafe të përkthej. Rreth orës 17:30 kthehem të studioj në shtëpi. Pastaj bëj sport rreth orës 19:00 me time shoqe. Gruaja dhe disa miq të ngushtë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekuilibrin tim. Tani jam emëruar dhe profesor violine në konservatorin e Gjenevës, ku jap mësime një herë në javë. Më pëlqen të ndjek dhe t’u transmetoj përvojën time të tjerëve.

- Krijimi artistik, loja artistike dhe çdo gjë që lidhet me artin besoj se duhet të ushqehen vazhdimisht me dashuri dhe emocione të vërteta. Si e “injektoni” dhe si vjen ky emocionalitet te ju?

- Këto janë gjëra që nuk kontrollohen. Unë i besoj më shumë kompensimit se ushqimit. Veprat e artit, dhe kjo vlen edhe për interpretimet, më duket që janë fryt i një vuajtjeje të brendshme, i një mangësie. Por asgjë nuk provokohet dot në mënyrë të vetëdijshme. Sidoqoftë, më duket se këto gjëra janë të vendosura që nga mosha më e vogël. Roli im është të zhvilloj teknikën instrumentale dhe analizën e veprave, për të tjerat nuk varet nga vullneti im.

- Besoni te fati? Nëse po, jeni ndier i përkëdhelur prej tij?

- Jo, nuk i besoj fatit dhe përgjithësisht asgjëje. Çdo gjë më duket rastësi, sado e frikshme të ngjajë kjo.

- Kujt ia dedikoni arritjet tuaja?

- Nuk më duket e rëndësishme t’ia dedikoj dikujt. Në qoftë se dikujt ato që arrij i sjellin diçka të mirë në jetën e tij, kjo më duket më e rëndësishmja.

- Sa ka ndikuar në rritjen tuaj artistike babai juaj, Robert Papavrami, duke qenë dhe ai një violinist i njohur?

- Është më tepër se një ndikim përderisa babai im më ka formuar tërësisht si violinist që nga mosha 4-vjeçare deri në ardhjen time në Francë në moshën 11-vjeçare. Një njohës i muzikës e di se vitet e para janë jashtëzakonisht të rëndësishme, themeli i gjithçkaje. Nuk duhet harruar se, kur mbërrita në Francë në moshën 11-vjeçare, pa dalë nga Shqipëria më parë, fitova vendin e parë në konkursin e hyrjes në konservatorin e Parisit krahas studentësh mesatarisht 18-vjeçarë. Kjo, si dhe shumë gjëra të tjera, është merita e tij.

- Për të qëndruar sërish në këtë pikë, keni pasur ndonjë model sipas të cilit keni formësuar figurën tuaj?

- Kam pasur shumë të tillë, më kryesori mbase qe violinisti Jasha Heifetz, por gjithashtu Zino Francescatti, Nathan Milstein, Ivry Gilis, Arthur Grumiaux, David Oistrah, pianistët Dinu Lipatti, Arthuro Benedetti Michelangeli, Ivo Pogorelitch, dirigjenti Karlos Kleiber e shumë të tjerë. Po nuk adhurove dhe kuptove deri në dhimbje atë që kanë bërë njerëz të mëdhenj në fushën tënde, nuk ke asnjë fat të shkosh larg.

Bisedoi: Blerina Goce

Pak për Papavramin...

Tedi Papavrami lindi në Tiranë në vitin 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike. Në moshën 8-vjeçare interpreton “Arie Bohemienne” të Sarasate me orkestrën filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë, ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, më 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe më 1993-shin fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona. Tedi Papavrami ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura, si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, Orchestre de Paris etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogwood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J. C. Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege etj., si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P. Bianconi, H. Sermet, M. Rubackyte, P. Meyer, E. Lesage, R. Oleg, G. Hoffman etj.

Skënderbeu si Batmani...

Figura e Skënderbeut mund të njëjtësohet edhe me Batmanin, në “bashkëkohësinë” shqiptare, e sa herë që jemi në nevojë mund edhe ta thërrasim për të na ardhur në ndihmë. Në fakt, është një projekt që lë shkas për lojë idesh, hijesh dhe dridhjesh. Duke ndjekur vijueshmërinë e projekteve të tij, ku ndjek stereotipin “mashkullor” të imazhit të heroit në historinë kulturore evropiane, Franz Kapfer ofron konceptin e tij mbi Heroin tonë Kombëtar. Koncept që e jep përmes instalacionit “Në hijen e Skënderbeut”, i cili u ngjiz nga hija e shtatores së Skënderbeut në Tiranë.

Projekti i tij është realizuar në formën e një projeksioni me dritë mbi fasadën e Akademisë së Arteve dhe është ndjekur nga një debat i hapur mbi përvetësimin dhe ndërtimin e figurave të heronjve. Gjithashtu projekti plotësohet nga një projeksion mbi ngrehinën e skenës në tarracën e Teatrit të Operës. Përmes hijes Kapfer kërkon të hedhë dritë mbi përdorimin politik apo social të figurës së Skënderbeut në historinë e shkuar e të tashme të Shqipërisë. Ky instalacion realizohet në kuadrin e projekteve të Institutit të Artit Bashkëkohor në Tiranë (TICA), me mbështetjen edhe të ambasadës austriake.

Histori

Shqipëria në kujtimet e Spiro Kosovës

Nuk mund të themi se fati ishte me të. Megjithatë, kujtimet e tij janë interesante dhe sjellin një informacion të rëndësishëm historik. “Shqipëria e viteve 1912–1964 në kujtimet e Spiro Kosovës” është libri i ri i historianit Marenglen Verli, krahas librave të tjerë studimorë apo kolanës me kujtime. Ky është vetëm vëllimi i parë i librit me kujtime mbi Shqipërinë, të cilit Verli i kushtoi më shumë se një vit punë. Një nga patriotët e Kongresit të Lushnjës, Luftës së Vlorës, prefekt i Beratit etj., Spiro Kosova, megjithatë, do të persekutohej gjatë viteve të diktaturës. Kujtimet e tij përmbajnë një volum të madh ngjarjesh, të cilat Verli i ka grupuar në dy vëllime. Në vëllimin e parë historiani trajton ngjarjet e paraçlirimit, ku Kosovën e kemi vazhdimisht në kontakt me njerëz të shquar të kohës apo në qendër të ngjarjeve më të mëdha. “Lexuesit do të ndeshen me informacione interesante për ngjarjet në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në rajonin e Përmetit dhe në Vlorë në vitet 1912–1914, mandej disa të dhëna për diasporën shqiptare në Egjipt, më tej një tablo të situatës në zonën italiane të pushtimit në vitet e Luftës së Parë Botërore etj.”, vëren vetë historiani në hyrje të këtij botimi. Për vitet 1920–1939 tabloja paraqitet me ngjyra të ndezura në vise të ndryshme, duke u spostuar nga Lushnja në viset më veriore, në Dukagjin e në Kosovë, ku pasqyrohet në mënyrë të veçantë kryengritja e Dukagjinit e vitit 1926. Në vitet 1939–1944 vrojtohen ngjarje e situata të ndryshme konkrete dhe individë në një shtrirje gjeografike nga Kukësi e Dukagjini, në Gorë, Berat, Tiranë dhe Durrës. Një informacion të dendur ofron periudha e “pushtetit popullor”. Të dhëna për jetën e diasporës shqiptare, ngritja e flamurit, Kongresi i Lushnjës, Kongresi i Përmetit, qeveria e Nolit, mbrojtja e kufijve në krah të Bajram Currit etj., vijnë përmes një materiali interesant, i cili natyrisht është i shoqëruar edhe me subjektivizëm, megjithatë ka fakte që i shërbejnë historisë. Në vëllimin e dytë, i cili gjithashtu do të botohet së shpejti, përfshihen më së shumti kujtimet e Spiro Kosovës si një i persekutuar dhe lufta e tij për mbijetesë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›