E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika si reagim per gjendjen qe po kalon Italia

Grupi i rrokut “Signor Palomar” prezanton me koncerte në Tiranë dhe Shkodër albumin debutues “Fillon”. Kënga e videoklipit “Precipiton” i përfaqëson më mirë ata vetë dhe gjendjen e italianit të sotëm i kapur në krizën ekonomike dhe politike

Kështu rritet dallga që na merr me vete

Po rrëzohem, po bie tek ti

Drita dhe njeriu në Kaliari nuk shkojnë mirë bashkë. E bukur natyra, e rëndë e përditshmja, si këpucët që vrasin.

“Nëse ka probleme në këtë botë, duhet gjetur mënyra për t’u rebeluar. Kjo s’do të thotë të shkosh në shesh e të qëllosh, por ta marrësh situatën në dorë. Dhe duke bërë secili pjesën e vet, të përpiqet për t’i ndryshuar gjërat. Albumi ynë është ftesë për të vepruar.”

Djemtë e grupit “Signor Palomar” prezantojnë në Tiranë albumin debutues “Comincia” dhe kënga e videoklipit “Precipitando” i përfaqëson më mirë ata vetë dhe “italian condition”.

“Me siguri “Preçipitando” na përfaqëson më mirë: është pjesa më rrok dhe më frenetike e cila tregon se çdokush prej nesh gjendet në këtë moment paniku ku ndjehet sikur gjithçka ka marrë rrokullimën dhe nuk ekzistojnë më pika mbështetëse.”

“Ka dy momente në këtë këngë që i kam për zemër. Kur grupi luan me tërbim, ndalon një moment dhe zëri thotë:
“Unë jam i gjallë dhe ju jeni të vdekur. Ku jeni?”
Dhe momenti tjetër kur zëri thotë:
“Nëse më dëgjon, unë po kërkoj një rebel”
Ndodhemi në këtë gjendje sepse kemi një klasë të keqe politike që ka krijuar distancë me qytetarët dhe kjo nuk po ndodh vetëm në Itali. Është një skenar më i gjerë për Evropën Perëndimore që do të thotë se herët a vonë diçka duhet të ndryshojë. Është si dallgë që po ngrihet dalëngadalë, po rritet po bëhet e fuqishme. Pra ose duhet të ndryshojë diçka ose uji ka për të bërë rrugën e vet.”

Cristiano Sanna Martini nga Kaliari, perkusionist është kompozitori dhe autori i teksteve. E themeloi grupin në vitin 2009. Mori emrin “Signor Palomar” sipas personazhit të Italo Kalvinos që ka ndikuar botën e Kristianos. Palomari është njeriu që e vëzhgon me kujdes botën rrotull, por ruan distancën, një vetmitar mes njerëzve dhe yjeve. Ndërsa muzika e bendit është një shkrirje e refleksionit me revoltën.

“Muzika është pop, pra mund të këndohet, rrok është energjia e grupit. Melodinë e këngëve tona nuk mund ta fishkëllesh në dush, por po t’i dëgjosh me kujdes do të gjesh diçka aty. Sepse ne u japim rëndësi teksteve për të treguar një pjesë realiteti ku të gjithë jetojmë. Një tekst i mirë duhet të tingëllojë me melodinë pa qenë i komplikuar dhe banal. Fjalët nuk mund t’i shpërdorosh. Nëse mendon të përdorësh tre atëherë ato tre duhet të jenë të duhurat.”
“Astronauti i dashuruar” është një përrallë dashurie për një njeri me mision në hapësirë që e shikon tokën nga larg si të ishte e dashura e shkatërruar dhe e plakur. Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur shtëpinë tonë? Kjo këngë është pikërisht për këtë.
“Unë jam 27 vjeç dhe i përkas një brezi i cili ndodhet në udhëkryq. Ndoshta sepse prindërit tanë e panë veten keq me sigurinë financiare dhe ekonomike. Klasa jonë politike nuk është në gjendje të vendos në praktikë vullnetin qytetar. Personalisht mbështes Lëvizjen “Cique stelle” që është kundër politikës që mendon për interesat e saj.
Pavarësisht krizës, stresit dhe frenezisë, dyshimit ku po shkojmë dhe çfarë po bëjmë, për ne ky është moment i mirë krijues për t’u shprehur, për të shpërthyer. Përpiqemi ta tregojmë këtë përmes teksteve dhe këngëve tona.”

Bashkë me kitaristët Stefano Ferrari, Michele Sanna dhe Gianluca Piras, “Signor Palomar” bëjnë muzikë që qëndron në kufijtë e popit, rrokut, me frymëzime xhazit, frymëzime nga John Coltrane, dhe kanë për pikën referimi nga muzika italiane traditën gjenovenze.
Këngët “Quando passi dentro me”, “L’estate vuota”, kanë melodinë dhe ritmin për t’u kërcyer, pavarësisht se publiku që i ndoqi në Rock Stock në Tiranë nuk lëvizi nga karriget.

“Mendojmë se ky album i flet publikut tuaj, sepse ne shohim një Shqipëri që po precipiton po që edhe po kërkon të rilindë.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›