Konflikt interesash, tronditet Saranda

Konflikti i interesave ka bërë që tre zyrtarë të Bashkisë së Sarandës të japin dorëheqjen nga postet e tyre drejtuese. Zëvendëskryetari i Bashkisë së Sarandës, drejtori i Drejtorisë Ekonomike dhe shefi i Auditit, kanë zgjedhur midis pozicioneve që mbanin prej vitesh në njësinë e qeverisjes vendore dhe specialitetit të tyre të licencuar privat si kontabilistë të njohur. Zgjedhja e tyre ka qenë për të lënë bashkinë dhe për t'u tërhequr në punën e tyre private si ekspertë kontabilistë të kompanive dhe firmave të ndryshme tregtare, apo shërbimesh në Sarandë, pas kërkesës që u ka bërë kreu i bashkisë, Edmond Gjoka. Ky i fundit i ka kërkuar zëvendëskryetarit Fatos Mullaj, Osman Balanit dhe Perikli Zisit të vendosin nëse do të vazhdojnë të kryejnë detyrat përkatëse në pozicionet që mbulojnë në njësinë e qeverisjes vendore, apo do t'i lenë ato duke u tërhequr në aktivitetin privat. Drejtoresha e personelit dhe e burimeve njerëzore në bashki, Suzana Mehmeti, ka sqaruar për “Shqip”: “Detyra e tyre zyrtare nuk pajtohej me aktivitetin privat që ata dihet se ushtrojnë prej vitesh.
Për këtë arsye u është kërkuar të zgjedhin”. Mësohet se ishin qytetarë të ndryshëm ata që kishin konstatuar dhe denoncuar konfliktin e tyre të interesit me detyrat që kryenin në administratën publike të qeverisjes vendore. Ndërkohë, mësohet se në një konflikt të tillë interesi gjenden edhe jo pak specialistë të Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave në Sarandë, të cilët ende nuk po largohen nga detyra. Kjo nuk po ndodh edhe për faktin se atyre nuk u është ushtruar alternativa e zgjedhjes mes detyrës në administratën tatimore dhe aktivitetit privat, që për disa shkon deri në mbajtjen e bilancit për 100 e më shumë subjekte. Kujtojmë se pak muaj më parë, përpara nisjes së aksionit të Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit në Ksamil, u urdhërua një valë shkarkimesh nga dega e Sarandës. Kreu i Inspektoratit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi, kishte kërkuar shkarkimin e dy specialistëve të thjeshtë në këtë degë, pasi ata nuk kishin pranuar të nënshkruanin për shembjen e një objekti në qendër të Sarandës. Ndërkohë, në atë kohë dhanë dorëheqjen edhe drejtori i degës së Inspektoratit Ndërtimor të Sarandës, Edmond çipa, dhe juristi i saj, Lefter Karajani.
#