Muzikë falas në sheshet e Shqipërisë

“Kisha kohë që e prisja momentin që të luaja për njerëzit e thjeshtë, për të gjithë ata që nuk duhet të mendojnë për çmimin e biletës”. Kështu u shpreh gjatë konferencës për shtyp violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Çezari. Nga Tirana e nxehtë dhe e etur për aktivitete kulturore, violinisti nisi një turne koncertesh në disa nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Tiranës. Çezari nuk preferoi skena të mëdha si ajo e Pallatit të Kongreseve apo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por e ngriti skenën bash në qendër të ish-Bllokut, e cila çdo mbrëmje gëlon nga të rinjtë që kalojnë aty disa orë, në mungesë të çdo aktiviteti tjetër të shëndetshëm, kulturor apo sportiv. Por ata kishin një motiv më shumë për të mbushur rrugën kryesore të ish-Bllokut. Të ndjekësh një koncert live dhe falas të Olen Çezarit është një rast që nuk të jepet gjithmonë.
Përpara se të pushtonte skenën, violinisti Olen Çezari doli në një konferencë për shtyp në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian, e cila ndodhet pikërisht shumë pranë vendit ku u mbajt koncerti. Në prezantimin e kësaj ngjarjeje kulturore, Çezari shoqërohej nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Ky i fundit e quajti këtë turne të violinistit një rast të shkëlqyer, jo vetëm për të shijuar muzikë të mirë, por edhe harmonie e gëzimi. Sequi prezantoi programin që Çezari do të interpretojë në koncertet e tij, çka përfshin këngë të krijuara në vende të ndryshme të botës, duke sjellë kështu copëza nga kultura të ndryshme. Kjo sipas tij e bën Olen Çezarin një qytetar të gjithë Europës. “Me talentin e tij Oleni i ka kaluar të gjithë kufijtë dhe është kthyer në një europian të vërtetë”, u shpreh Sequi, duke ftuar njerëzit të marrin pjesë në koncertet që violinisti do të zhvillojë në disa qytete të mëdha në Shqipëri. Me violinën e tij Çezari sjell tinguj nga e gjithë bota, që nga kalinka ruse, te dervishët e Turqisë, tek sambat braziliane, deri te burimet e Përmetit.
“Jam shumë i lumtur që m’u dha rasti të zhvilloj këtë turne nëpër sheshet e Shqipërisë, çka e prisja prej vitesh. Kërkova që ta zhvilloja këtë turne nëpër sheshe, sepse aty njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të jetojnë spektaklin e ta shijojnë pa menduar sa kushton bileta në Teatrin e Operës apo diku tjetër.”, tha Çezari, duke shpresuar që të kënaqë sadopak publikun shqiptar.