E Shtunë, 31 Tetor 2026

Julian Castro, Obama i radhës?

Një person pothuajse i panjohur nga radhët e pakicave, që konsiderohet si yll në ngritje, përzgjidhet për të mbajtur një prej fjalimeve kryesore në konventën e demokratëve. Jo, nuk është viti 2004, kur fjalimin e mbajti presidenti aktual i SHBA-së deri në atë konventë i panjohur, Barack Obama. Këtë vit për të mbajtur fjalimin është përzgjedhur Julian Castro, prefekti i San Antonios. A mund të ndjekë ai rrugën e Obamës?

Kur Julian Castro, prefekti i San Antonios, u përzgjodh të martën për të mbajtur një nga fjalimet kryesore në Konventën Kombëtare të Demokratëve, reagimi më i shpeshtë në mesin e demokratëve ishte, “Kush?”

Hispaniku i parë i përzgjedhur ndonjëherë për të mbajtur fjalimin në kohën e “pikut”, Castro 37 vjeçar, është prefekti më i ri në mesin e prefektëve të 50 qyteteve më të rëndësishme të SHBA-së.

Duke e shërbyer mandatin e tij të dytë, pas rizgjedhjes së tij në vitin 2011 me 82.9 për qind të votave, ky jurist i diplomuar i Stanfordit dhe Harvardit ka një biografi të jashtëzakonshme, e cila e bën atë një yll në ngritje. Si fëmijë që është rritur vetëm me nënën, rrëfimi i tij jetësor është mishërim i asaj që mendojmë për amerikanët me ambicie.

Castro dhe vëllai i tij binjak, Joaquin, i cili gjithashtu ka një biografi të jashtëzakonshme dhe ka kandiduar për një ulëse në Kongresin e Teksasit, ka pothuajse të njëjtin qëndrim, të cilin e kishte edhe Obama, para se të përzgjidhej për të mbajtur fjalimin në Konventën në vitin 2004: se Amerika është një vend i mundësive, në të cilin meritat dhe puna e zellshme shpërblehen.

Edhe pse pjesa më e madhe e politikanëve amerikanë nuk kishin dëgjuar kurrë për të para të martës, Castro ka qenë bashkëkryesues i fushatës së Obamës dhe zyrtarët e përfshirë në fushatë kanë deklaruar se “Castro ka qenë tejet efektiv”.

Si prefekt, ai ka zbatuar në praktikë disa nga idealet më të mirëpritura të Obamës, duke u angazhuar për një ekonomi të re energjetike dhe duke shndërruar në prioritet arritjet në fushën e edukimit. Qendra Cafe College, e ngritur nga ai, është një qendër e cila ndihmon studentët që të përgatiten për kolegj.

Demokratët e mirëpriten përzgjedhjen e Castros dhe kanali në gjuhën spanjolle, Univision, i cili kumtoi lajmin për përzgjedhjen e Castros, deklaroi se atë ditë faqja e këtij kanali në Internet ka shënuar rekord të klikimeve, prej se ka filluar punën.

“Ai është i ri, energjik, impresionues, pikërisht ai lloj i porosisë të cilën partia dëshiron ta dërgojë”, thotë Matt Bennett, bashkëthemelues i grupit demokrat, “The Third Way”.

“Përzgjedhje e mrekullueshme. Tejet i mençur, udhëheqës inovativ, i ri dhe latin. Çfarë të mos pëlqehet tek ai? Ardhmëria është tani”, thotë John Podesta, themelues i Qendrës për Përparim Amerikan, një organizatë liberale.

Zëdhënësi i fushatës së Obamës, Ben La Bolt, thotë se Castro është një lider në ngritje e sipër, i cili ka punuar në mënyrë të palodhshme për të forcuar ekonominë e San Antonios, duke bërë investime në gjërat si energjia e pastër dhe në programe inovative për edukim, të cilat do të rezultojnë me hapjen e vendeve të punës, me paga të mira, me të cilat mund të mbahet familja”.

Castro ne skenë do t’i bashkohet Zonjës së Parë, Michelle Obama, të martën më 4 shtator, mbrëmjen e parë të Konventës, për të shpalosur qëndrimet e një elektorati të ri dhe më të larmishëm, elektorat ky i cili mbështetet vlerat tradicionale të mundësive dhe të përgjegjësive, të cilat nënvizojnë ëndrrën amerikane.

“Duke pasur të dytë, Zonjën e Parë dhe prefektin Castro, në mbrëmjen hapëse të Konventës, ky fakt do të bashkojë dy udhëheqës të jashtëzakonshëm, rrëfimet jetësore të së cilëve mishërojnë premtimin e Amerikës-se nëse punon me zell dhe i përmbahesh rregullave, atëherë mund të arrish”, theksoi kryesuesi i Konventës së Demokratëve dhe prefekti i Los Angelesit, Antonio Villaraigosa.

Konventa e Demokratëve do të pasojë pas asaj të republikanëve, në të cilin një rol kryesues pritet ta luaj senatori nga Florida, Marco Rubio, pa marrë parasysh se a do të përzgjidhet apo jo si kandidat për zëvendëspresident nga ana e Mitt Romneyt.

Rubio dhe Castro ndoshta kanë dallime ideologjike, por prominenca e kësaj gjenerate të re të udhëheqësve dëshmon për një pjekje të komunitetit hispanik si fuqi politike dhe është një nderim për prindërit, të cilët sakrifikuan aq shumë, në mënyrë që fëmijët e tyre të ecin përpara. Dhe kjo është porosia, të cilën votuesit do të dëshirojnë ta dëgjojnë si nga Castro, ashtu edhe nga Rubio.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›