Muzikë mesjetare në Remusica
Tre muzikantë gjermanë sjellin sonte muzikë mesjetare për publikun kosovar. Remusica prezanton sonte (e premte) në Swiss Diamond Hotel, koncertin e trios nga Gjermania, të cilët janë të specializuar në muzikën mesjetare.
Këngëtarja gjermane Sabine Lutzenberger është pioniere e muzikës mesjetare. Pas studimeve në Schola Cantorum Basiliensis, performoi me ansamblet: Für Frühe Musik, Augsburg, Mala Punica, Itali dhe Huelgas Ensemble, me muzikantë si Pedro Memeldorff e Paul Van Nevel, si dhe me ansamblet e veta Per-Sonat dhe Ars Poetica.Reportori i saj përfshin muzikën mesjetare, renesancën, barokun dhe muzikën romantike.
Saksofonisti Christian Elin ka studiuar për saksofon dhe ka diplomuar në Akademinë e Muzikës në Munih dhe Bazel të Zvicrës. Më vonë është shpërblyer me bursë nga Akademia e Ansambleve Internacionale në “Ensemble Modern” në Frankfurt.
Ka marrë shpërblime të shumta për punën e tij artistike prej fondacioneve të ndryshme dhe momentalisht është mësues për saksofon në Qendrën Leopold Mozart të Universitetit të Augsburgut.
Ndërkaq, Wolfram Oettl ka studiuar për piano në Akademinë e Muzikës në Munih dhe muzikën mesjetare, renesancën dhe muzikën barok, në instrumente historike tastiere dhe në basso-continuo ne Schola Cantorum Basiliensis në Zvicër.
Ka qenë i ndikuar nga stili avangard i fundshekullit të 20-të në SHBA, që në cilësimet e sotme muzikologjike quhet “muzike minimale”, por ai gjithashtu ndjek dhe relacionet historike midis muzikës avangarde dhe baroke.
Një mbikalese e muzikës antike dhe bashkëkohore, muzika luan një rol të rëndësishëm në frymëzimin e tij artistik.