Myrshit Vorpsi: Kjo që po ndodh me pronat e ushtrisë është vjedhje. SHQUP është mbi pronën e Toptanëve
Anëtari i kryesisë së shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorpsi, në një intervistë për Shqiptarja.com, thotë se kjo qeveri që po largohet nuk ka vepruar dhe nuk po vepron mirë me pronarët.
I pyetur për vendimin e kthimit të SHQUP në seli të Partisë Demokratike, Vorpsi thotë: Një gjë mund ta them me gojën plot që, në raport me pronarët, kjo qeveri që po ikën nuk ka vepruar dhe nuk po vepron mirë. Unë dua të them që sipërfaqja e truallit atje është e familjes së Toptanëve. Ka një vendim të kompensimit të pronave që të jetë shprehur ose jo për atë sipërfaqe trualli, atë e dinë vetë pronarët e kësaj sipërfaqeje trualli në qendër të Tiranës. Megjithatë nuk kam çfarë të them ndonjë gjë më tepër, pasi mjaft është folur për këtë punë.
Vorpsi e quan vjedhje atë që po bën qeveria me pronat e ushtrisë.
Sipas shifrave që ka publikuar vetë Ministria e Mbrojtjes, sipërfaqja e tokës truall e reparteve ushtarake që do hidheshin për privatizimin, ka qenë rreth 1 mijë hektarë. Pjesa tjetër pak rëndësi ka. Ky një 1 mijë hektarësh mund të shërbente për të kompensuar të paktën një pjesë të mbi 7 mijë hektarë tokë truall që na takojnë ne pronarëve. Me sa duket qeverisë i duhen lekë. Nëqoftëse do të thuhej se këto 1 mijë hektarë tokë truall i reparteve ushtarake do të kalojnë si kompensim fizik për pronarët, mendoj se jo vetëm pronarët, por dhe opinioni publik do të thoshin se tek e fundit po bëhet një veprim i mirë. Ndërkohë që kur thuhet se unë do të shes një muaj përpara zgjedhjeve 1 mijë hektarë truall të reparteve ushtarake, atëherë patjetër tek e fundit gjysma e popullsisë di të thonë se po bëhet një pisllëk, një privatizim klientelist, një vjedhje dhe të gjitha gjërat e mundshme që mund të thuhen në këtë rast./ep