Riker: Zgjedhjet, të suksesshme. Qeveria e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm që siguroi
Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker gjatë një video konference nga Nju Jorku, kushtuar angazhimit amerikan në Ballkan, vlerësoi zgjedhjet në Shqipëri, duke thënë se ato ishin në përputhje me standardet.
Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritjet të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do ti ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipëria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të suksesshme në përputhje me standardet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqendrohet në procesin e kandidatit në BE, tha Riker.
Riker u kujtoi të pranishmëve se ky proces u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta.
Tani që zgjedhjet kanë përfunduar shpresojmë që përpjekjet të përqendrohen përsëri në këtë drejtim dhe në një rast të tillë Shqipëria do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e re duhet të përqendrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë, tha Riker.
Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqendrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./ep