E Diel, 1 Nëntor 2026

Myrshit Vorpsi: Në shtator do t'i drejtohemi gjykatës Kushtetuese për legalizimin e vilave në bregdet

Shoqatat e ish-pronarëve kundërshtojnë procesin që, sipas tyre, qeveria është në konflikt interesi


Z. Vorpsi, ju keni kundërshtuar prej kohësh ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", ndërkohë që procesi është në përfundim e sipër. Cilët janë hapat ligjorë që keni ndërmarrë për kontestimin e tij?


Në fakt, që kur parlamenti shqiptar miratoi këtë ligj, ne kemi shprehur qëndrimin tonë që hartimi i tij, jo vetëm ishte antikushtetues, por parlamentarët dhe qeveria ishte në një konflikt të hapur interesi. Normalisht, ndaj dhe ky proces po ecën me ritme të shpejta dhe për ne ishte e pritshme që ata që miratuan ligjin për marrjen e tapive të vilave të tyre të përshpejtojnë edhe përfundimin e procesit.


Por, gjatë kësaj kohe, ne po punojnë për të paraqitur në gjykatën Kushtetuese të gjitha provat dhe argumentet ligjore pse ky ligj është antikushtetues. Dhe unë mendoj se në shtator ky amendim i këtij ligji në emër të të gjithë shoqatave të is- pronarëve do të jetë në dosjet e gjykatës Kushtetuese. Nëpërmjet miratimit të këtij ligji janë cenuar pronat e ish-pronarëve në këto zona.


Pra, ky ligj fsheh në vetvete një vjedhje në tentativë që po realizohet dhe kjo qëndron për faktin se ALUIZN-i do të bëjë shitjen e truallit nën objekt që normalisht për rastin e fshatrave turistikë është më pak se 1 e 10 e asaj që quhet sipërfaqe funksionale. Megjithëse ne e dinim që procedurat e Gjykatës Kushtetuese duan kohë deri sa të dalin në një përfundim dhe gjatë kësaj kohe procesi i legalizimit të vilave në bregdet ka përfunduar, gjithsesi në shpresojmë se anëtarët e kësaj gjykate do të shprehen në antikushtetutshmërinë e këtij procesi.


Z. Vorpsi, një pikë tjetër e këtij procesi është që të ardhurat që do të përftohen në legalizimin e këtyre trojeve do t'i bashkëngjiten fondit të kompensimit të ish-pronarëve. Përse ju e kundërshtoni këtë pikë?


Sepse, është një tjetër demagogji që kjo qeveri po na servir. Jo vetëm tani, por që në krye të herës, asnjë vendim nuk është marrë në mbrojtje të interesave të ish-pronarëve, por përkundrazi. Deri më tani, ne nuk kemi dëgjuar që kjo qeveri të ketë bërë publike as fondin financiar që iu detyrohet kësaj kategorie dhe as sipërfaqen për kompensim që do të përfitojnë ish-pronarët. Megjithëse shifrat janë të frikshme dhe rëndojnë në buxhetin e shtetit deri më tani, nga 6 vite të kësaj qeverisje asnjëherë nuk është folur për këtë çështje.


Ndërsa, për sa i përket parave që do të përfitohen nga procesi i legalizimit në bregdet, shifrat janë aq qesharake saqë unë nuk besoj se ajo do të ulin deficitin e qeverisë për në fondin e kompensimit financiar të ish-pronarëve. Kështu që për ne shpresë të vetme në kthimin e këtij procesi do të jetë vetëm vendimi i gjykatës Kushtetuese, paçka që realiteti tregon se kjo qeveri ka vendosur zbatimin me ritme të shpejta të legalizimit të vilave, ky në pjesën më të madhe të sipërfaqeve janë pronarë, ende pa tapi, politikanët e sotëm shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›