E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-Këshilltari Politik i Moisiut propozon ligj Organik edhe për Parlamentin

Sipas Afrim Krasniqit, tre gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk pranuan për kryetar, sepse politika i bën presion kushtetueses

Akuzat e mazhorancës ndaj Topit, Krasniqi: "Arsyeja për t'i mbyllur përfundimisht dyert Presidentit në PD pas mbarimit të mandatit"


Këshilltari politik i ish-presidentit Alfred Moisiu, Afrim Krasniqi, deklaroi se akuzat e mazhorancës në drejtim të presidentit Topi bëhen për shkaqe politike. Sipas ish-këshilltarit të Moisiut, synimi i mazhorancës është përjashtimi përfundimtar i kreut të shtetit Bamir Topi nga Partia Demokratike, pjesë e të cilit ka qenë para se të merrte detyrën e presidentit, i njohur për qëndrimin e tij kundër vijës së kryeministrit Berisha.


Për politologun Krasniqi, presidenti Topi nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës. Më shqetësues, sipas politologut Krasniqi, është refuzimi i pranimit të tre gjyqtarëve aktualë të kësaj gjykate për të pranuar postin e kryetarit.
Ish-këshilltari i presidentit Moisiu jep tre motive për sulmet e mazhorancës ndaj presidentit Topi.


Arsyeja kryesore, sipas politologut Krasniqi, është përjashtimi përfundimtar i presidentit Topi nga PD-ja, duke parë edhe afrimin e zgjedhjeve për forumet drejtuese të kësaj force. "Së pari, për të përfituar nga momenti dhe nga debati për sa i përket afateve për kreun e gjykatës kushtetuese.


Së dyti për ti dhënë një goditje politike keut të shtetit, goditje politike për shkak të deklaratave të tij lidhur me ligjin për shërbimin sekret dhe së treti për shkak edhe të zhvillimeve brenda PD-së për shkak të zgjedhjeve të kryesisë për ti mbyllur përfundimisht dyert presidentit pas mbarimit të mandatit", u shpreh Krasniqi.


Sipas politologut shkak për sulmet e mazhorancës edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhen me vendimet e kësaj gjykate duke përfshirë dhe kryetarin aktual që kanë votuar në mënyrë të qartë kundër dy ligjeve themelore për maxhorancën, që janë ligji i lustracionit dhe ligji për marrëveshjen me Greqinë. Këshilltari politik i ish presidentit Moisiu deklaroi se institucioni i presidencës nuk është i vetmi që punon pa një ligj organik që do të rregullonte organizimin dhe funksionimin e tij.


Kjo është edhe arsyeja që politologu Krasniqi propozoi idenë e hartimit edhe të një ligji organik për funksionimin e parlamentit. Sipas tij Parlamenti ka nevoje për një ligj organik dhe për një rregullore që ndryshohet me një shumicë të thjeshtë sa herë që është e interesuar partia në pushtet.


"Është dhe parlamenti që nuk ka një ligj organik, është dhe konferenca gjyqësore, e cila me ligjin e rrëzuar poshtë nga Gjykata Kushtetuese ka shumë mangësi themelore. Dhe unë mendoj që deputetët e partive të caktuara përpara se të merren me institucionin e presidentit, të merren me institucionin ku ata punojnë.


Do të thotë të krijojnë një ligj për funksionimin e Parlamentit dhe nëse do të kishim një ligj të tillë, mendoj që shumë nga debatet dhe keqkuptimet e tanishme do të ishin ezauruar", theksoi Afrim Krasniqi ish këshilltar politik gjatë kohës kur në krye të shtetit ishte presidenti Moisiu.


Politologu Krasniqi akuzoi mazhorancën se ka ushtruar presion politik ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në çështje të rëndësishme që bien ndesh me interesat e saj. "Është më shqetësues fakti që 3 anëtarë të Gjykatës kanë refuzuar të marrin kryesimin. Kjo sepse i tremben presioneve politike dhe është fakt që politika i bën presion kushtetueses. Secila nga maxhorancat e akuzon në momentin kur jep një vendim në kundërshtim me interesat e saj",- deklaroi Krasniqi.


Pak ditë më parë këshilltari për çështjet ligjore i presidentit Topi, Spiro Peçi deklaroi se kreu i shtetit i ka propozuar tre prej anëtarëve të kësaj gjykate postin e kryetarit por që asnjë prej tyre nuk e ka pranuar. Këshilltari Juridik i Presidentit sqaroi se dekretimi i emrit të ri për kryetar të Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhet në momentin kur kjo gjykatë do të jetë e kompletuar me anëtarë.


" Dua t'ju bëj me dije se Presidenti i Republikës që në fillim të muajit qershor, kur ka mbaruar mandati i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ka thirrur Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zotin Vladimir Kristo dhe i ka propozuar që ta rikandidonte si kryetar të kësaj Gjykate, propozim, i cili është refuzuar prej tij. Jo vetëm kaq, por në vazhdim të një procesi për emërimin e kryetarit të Gjykatës, Presidenti i Republikës ka thirrur edhe dy anëtarë të tjerë të kësaj Gjykate, por ka qenë e pamundur që numri që mendonte Presidenti i Republikës për të zgjedhur kryetarin, të arrihej.


Në këto kushte, është mëse e logjikshme, mëse e drejtë, siç e thashë edhe në fillim, ligjore, që Presidenti i Republikës duhet të emërojë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese nga radhët e anëtarëve të kompletuar të kësaj Gjykate", theksoi Peçi. Gjatë dy javëve të fundit demokratët kanë intensifikuar sulmet në drejtim të kreut të shtetit duke e akuzar për shkelje të ligjit themeltar në afatet e emërimit të kreut të Gjykatës Kushtetuese.


Boschard: Brukseli sinjale pozitive për Shqipërinë
Ambasadori gjerman deklaron se vendi i tij do të marrë në konsideratë hapat e bërë


Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Boshard deklaroi se nga Brukseli ka sinjale pozitive se Shqipëria ka përmbushuar detyrimet për të përfituar nga procesi i liberalizmit të vizave. Sipas ambasadorit qeveria gjermane do të marrë në konsideratë të gjitha hapat e ndjekur nga vendi ynë në plotësimin e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave . "Procesi i liberalizimit të vizave ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar.


Mbështetja që qeveria gjermane ka patur pikërisht këtë qëllim, për të mbështetur procesin e liberalizimit të vizave duke luftur krimin e organizuar. Javën e kaluar kemi patur sinjale pozitive se Shqipëria po përmbush hapat për të përfituar liberalizmin e vizave. Qeveria ime do të marrë në konsideratë hapat e bërë nga Shqipëria",theksoi ambasadori gjerman Bernard Boschard. Sipas përfaqësuesit të Gjermanisë në vendin tonë, lufta ndaj krimit të organizuar është një nga kriteret kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë.


"Ky projekt, së bashku edhe me projekte të tjera të financuara nga qeveria gjermane, si projekti rajonal në fushën e zbatimit të ligjeve, në mbështetje të Reneas dhe në ndihmë të sistemit gjyqësor në Shqipëri, kanë pasur si qëllim që të mbështesin Shqipërinë në arritjen e standardeve të përcaktuara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave", u shpreh Boschard. Deklaratat amabasadori gjerman i bëri gjatë ceremonisë së dhurimit të paisjeve speciale për sallën e monitorimit të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.


Berisha takon Withers dhe Boschard

Kryeministri Sali Berisha, zhvilloi takimin e lamtumirës me ambasadorin e SHBA në Tiranë John L. Ëithers II. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.


Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA, mikut, aleatit dhe partnerit strategjik të shqiptarëve, të qeverisë amerikane, por dhe të ambasadës së saj në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë.


Ndërsa ambasadori amerikan vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon. Kreu i qeverisë priti në takim edhe ambasadorin gjerman Bernd Borchardt duke vlerësuar kontributin që vetë ambasadori Borchardt dhe stafi i ambasadës në Tiranë kanë dhënë në forcimin dhe zgjerimin e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›