Nis procesi i legalizimit të vilave në bregdet, pronarët së shpejti me tapi

AULIZNI ka nisur verifikimin e trojeve që do të legalizohen në bregdet. Procesi kundërshtohet nga ish-pronarët
Dita që pronarët e vilave në bregdet do të kenë në duar tapitë e tyre nuk është e largët. Megjithëse procesi i legalizimit të trojeve në zonën bregdetare është kundërshtuar ashpër nga shoqata e ish-pronarëve, duket se ky proces tashmë është pa kthim.
Madje, ALUIZNI - institucioni i ngarkuar për të menaxhuar legalizimin e trojeve në bregdet po punon me ritme të shpejta, krahas legalizimit të zonave informale. Lajmi konfirmohet për gazetën "Shekulli" nga kreu i këtij institucioni, Shaban Memia.
Në fakt, për procesin e legalizimit të trojeve në zonat bregdetare është përfshirë edhe Ministria e Transporteve, ku specialistë të këtij institucioni po bashkëpunojnë për verifikimin e situatës në terren. Sipas Memisë, puna për evidentimin e pronarëve të këtyre trojeve ka nisur dhe shumë shpejt pritet të ketë dhe një hartë të plotë të pronarëve që posedojnë troje apo vila në zonën bregdetare.
Ndërkohë që më herët, Shaman Memia zbatimin e ligjit "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin" e ka konsideruar si një ndër proceset më të lehta, e krahasuar kjo me të gjithë procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Kjo për faktin e thjeshtë se pikësëpari nuk kemi të bëjmë me objekte pa leje, por për ndërtime që realisht kanë marrë miratimin e institucioneve shqiptare.
Drejtuesit e ALUIZNI-it shpresojnë që i gjithë ky proces të realizohet në një kohë më të shkurtër për faktin e thjeshtë se palët janë të interesuara që pronën e tyre ta hipotekojnë, ndërkohë që deri më tani kjo pronë konsiderohej si e jashtëligjshme.
Legalizimi
Për të përshpejtuar procesin e legalizimit të vilave në bregdet, pak kohë më parë qeveria përcaktoi dhe formularin që do të plotësojnë pronarët për legalizimin e ndërtimeve.
Madje, për këtë qëllim është nxjerrë dhe udhëzimi përkatës ku përcaktohen kriteret "Për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin dhe formularit të të dhënave, për njësitë e ndërtuara në zonat e stimuluara, me përparësi turizmin".
Kështu, në kërkesën e personit që kërkon të blejë truallin ku ka ndërtuar objektin në zonë turistike, janë të renditura disa dokumente që kanë të bëjnë me të dhënat mbi marrëveshjen e qirasë që ka me shtetin për ndërtimin në atë zonë, vendndodhjen e njësisë së ndërtuar dhe emërtimin e zonës së stimuluar, dhe të dhënat ndërtimore të njësisë së ndërtuar.
Gjithashtu, duke iu referuar ligjit të miratuar në fund të vitit të kaluar "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", kërkohet kontrata e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtës së pronësisë, marrëveshjen e qirasë, lidhur mes personit të stimuluar (personi fizik ose juridik, i cili ka marrë nga shteti të drejtën për të ndërtuar në zonën bregdetare, me qëllim ngritjen e fshatrave turistikë) dhe qiradhënësit (në rastin konkret është shteti), si dhe lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar.
Kërkesat për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, shoqërohen nga dokumentacioni financiar që vërteton shlyerjen e tarifës së aplikimit dhe paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, ku regjistrohen.
Të dhënat e përftuara nga administrimi i kërkesave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, pasqyrohen në formularin e të dhënave, administrohet dhe ruhet nga një format dixhital. Kështu me shpërndarjen e këtyre formularëve, qeveria ka nisur procesin e legalizimeve të vijës bregdetare. Ndërkohë që vetëm pak muaj më parë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave miratoi tabelën e çmimit të tokave në zona të ndryshme bregdetare të vendit.
Referuar këtij vlerësimi është përcaktuar që çmimi i tokave në bregdet të jetë i ndryshëm në bazë të largësisë së truallit nga deti. Sa më afër detit, aq më i shtrenjtë është çmimi i truallit dhe sa më larg detit, aq më i lirë është ky çmim. Sipas vendimit të qeverisë, të ardhurat e grumbulluara nga ky proces do t'i bashkëngjiten fondit për dëmshpërblimin e ish-pronarëve, ndërkohë që këto të fundit deklarojnë se këto të ardhura janë aq qesharake saqë nuk do të mund të dëmshpërblehet as edhe një pronar i vetëm.
Çmimet e tokave sipas AKKP-së
Dhërmi: 2 281 lekë/m2
Palasë: 1 729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17 867 lekë/m2
Radhimë: 2 143 lekë/m2
Zvërnec: 1 617 lekë/m2
Delvinë: 1 191 lekë/m2
Ksamil: 3 686 lekë/m2
Në Shkodër
Çmimi maks.: 31 753 lekë/m2
Çmimi min.: 13 429 lekë/m2
Velipojë: 1 286 lekë/m2
Pogradec
Çmimi maks.: 2 7177 lekë/m2
Çmimi min.: 22 000 lekë/m2
Golemi 17 158 lekë/m2
Karpeni 14 117 lekë/m2
Spilleja 11 075 lekë/m2
Gjiri i Durrësit 37 262 lekë/m2
Gjiri i Lalëzit 13 866 lekë/m2
Shëngjini 25 510 lekë/m2
Gjiri i Rodonit - Laç 4 904 lekë/m2
Gjiri në lumin Mat 4 904 lekë/m2
Bregu i liqenit 21 564 lekë/m2