Basha, i zhgënjyer me barazim

Në sytë e Migjen Bashës vazhdon të vërehet zhgënjimi për faktin se Torino nuk shënoi fitore ndaj Udineses.
Ekipi Granata qëlloi tri herë shtyllën, një prej tyre nga vetë futbollisti kosovar, por topi assesi të hynte në rrjetë.
“E kemi qëlluar dy herë tërthorësen dhe një herë shtyllën. Më vjen më shumë keq që nuk arritëm ta mposhtim Udinesen sesa tërthorësja që ma mohoi gëzimin e madh personal. Kemi ndërtuar shumë raste, e kemi merituar fitoren. Zhgënjimi i madh qëndron tek ne, në fakt na mungojnë dy pikë”, deklaroi mesfushori nga Theranda për ueb faqen zyrtare të klubit.
“Ne nuk e shikojmë renditjen, mund të përmirësohemi. Nuk mendoj se goli është një problem, sepse nga pesë ndeshje kemi shënuar katër gola. Sot na mungoi fati, edhe ndaj Interit e kemi merituar të shënonim, ndërsa humbëm”, përfundoi Basha.