E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslimanët falin Kurban Bajramin para Parlamentit

 
Mijëra besimtarë u janë drejtuar xhamive në të gjitha qytetet e vendit, ku i luten Zotit t'i drejtojë dhe për të forcuar besimin
 
Pas 15 vitesh, falja e Kurban Bajramit kryet në sheshin e ish-Namazgjasë
 
Besimtarë myslimanë në kryeqytet janë falur dje në mënyrë kolektive me rastin e Kurban Bajramit tek parku poshtë Parlamentit dhe jo tek Sheshi "Skënderbej". Në këtë mënyrë mijëra besimtarët e kanë kryer ritualin e faljes pranë Parlamentit, ish-Namazgjasë, si për t'i kujtuar politikës premtimin për kthimin e pronave. Këtu ka konsistuar edhe lutja e besimtarëve, për të ndërtuar xhami të reja në pronat e Komunitetit Mysliman. Kështu krahas miliona myslimanëve në të gjithë botën, që kanë festuar pardje, besimtarët shqiptar kanë festuar dje Kurban Bajramin, duke sakrifikuar, dele, dhi, lopë, për të nderuar gatishmërinë e Profetit Ibrahim për të sakrifikuar të birin për Zotin. "Kurban Bajrami, është një ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të Zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun, dhe që përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes",- është shprehur Imami gjatë ligjëratës pak para faljes së Namazit të Kurban Bajramit.
Urime
Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, selia e Komunitetit Mysliman në Tiranë ka pritur urimet dhe ka falënderuar e spektrin e gjerë politik dhe kulturor. Kryetari i Bashkësisë Islame, Selim Muça u shpreh se tokën e kanë në Hipotekë, por nuk u jepet leja për të ndërtuar. "Nuk na mjaftojnë objektet që kemi". Ndërsa krerët e shtetit u kanë uruar besimtarëve shqiptarë për festën e Kurban Bajramit. Presidenti, Bamir Topi uron besimtarët për paqe dhe dashuri në këtë të ditë të shenjtë. Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha vlerësoi se kjo festë e gjen Shqipërinë në ditët më të mira të historisë së saj. "Kjo ditë, është një ditë fisnikërie e madhe njerëzore",- është shprehur kryeministri Berisha. Ai, më tej, lutur që qytetarët shqiptarë të frymëzohen më shumë për respekt dhe sakrificë. "Por kjo ditë, për mua si Kryeministër dhe për Qeverinë, është një ditë përgjegjësie të madhe dhe përulje para të gjithë atyre që janë në dhimbje dhe vuajtje. Është një ditë angazhimi të madh për një shpërndarje më të drejtë, më të ndershme të pasurive kombëtare, është një ditë thirrjeje, që suksesi, arritja të mos na pengojnë të shohim dhimbjen, vuajtjen, hallin, dertet e pafundme të qytetarëve në nevojë",- tha kryeministri, Sali Berisha.
Falja
Ashtu si çdo vit, qindra besimtare u janë drejtuar xhamive më të afërta, ku i janë lutur Zotit t'i drejtojë si dhe për të forcuar besimin. Më shumë se çdo ditë tjetër, në fytyrat e myslimanëve, gjatë ditës së djeshme mund të shihje buzëqeshje të sinqerta që i uronin njëri-tjetrit festën e Kurban Bajramit. "Me këtë fytyrë identifikohet Islami i vërtetë, që predikon paqe dhe mirësi për mbarë njerëzimin, dhe jo ai që shikojmë në faqet e gazetave dhe kronikat e "Reuter"",-thotë besimtari Muhamet Riza pas faljes së Kurban Bajramit. Sipas tij, virtyti që karakterizon myslimanët në këto ditë festash prezanton fuqishëm kulturën islame, e cila përçon vetëm dashuri. Kurban Bajrami tregon kështu harmoninë që duhet të tregojë i pasuri ndaj të varfrit, duke shpërndarë në këtë mënyrë nota pozitive se ç'rrugë komunikimi vëllazëror i duhet njerëzve. Qytetarët në këtë ditë i kthehen në masë leximit të Kur`anit, faljes së Namazit, dhe që kurorëzohet me dhënin e zekatit. Gjatë kësaj dite, më shumë se kurrë zemrat e besimtarëve bëhen më të ndjeshme dhe të dashura. Ata shndërrohen "në armë të forta", duke u hapur dhe u bërë më të ngrohta. Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja, nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin, dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar, theret një dash apo një dele, që i dedikohet Zotit. Familja që e ther, mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Kurban Bajrami, festohet në vazhdën e kryerjes së kushtit të pestë të Islamit-harxhit, demonstrimit të solidaritetit islam përmes kurbanit dhe përkujtimit për domosdoshmërinë e kryerjes së llogarive të veprave të njeriut gjatë periudhës njëvjeçare.
Box
Dy fjalë për Kurbanin
Një prej formave të sakrifikimit në Islam është prerja e kurbanit. Në këtë ditë, myslimanët në katër anët e botës therin kurban. Kurbani është simbol i devotshmërisë, nënshtrueshmërisë dhe dorëzimit ndaj Allahut të Madhërishëm. Përmes therjes së kurbanit, njeriu i tregohet mirënjohës Zotit dhe e falënderon Atë për të mirat dhe begatitë që i fali. Kurbani paraqet ngadhënjim të shpirtërores dhe fetares te njeriu. Mbi materialen dhe neglizhencën fetare. Këtë e demonstron besimtari me rastin e therjes së kurbanit, kur tregon qartë se për hir të Allahut, dominon mbi ndjenjat dhe pasionet dhe pranon të sakrifikojë për hir të Tij, dhe një prej formave të sakrifikimit është kurbani. Krahas gjithë dimensioneve të tjera, kurbani ka edhe dimensionin social. Gjegjësisht, është dëshmi e preokupimit të njerëzve për njëri-tjetrin dhe ndihma materiale që i jepet atij. Me këtë bëhet edukimi i shpirtit të njeriut dhe afirmimi i tij, luftë, e njëkohësisht edhe ngadhënjim mbi egoizmin dhe daljen në skenën e madhe dhe humane të solidaritetit, ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›