E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e 5 jetimëve: Fëmijët ngopen me bukë vetëm për Bajram

 
"Jam e lumtur që për drekën e Kurban Bajramit do të kem mundësi t'ua mbush fëmijëve sofrën plot", tregon Majlinda Kazaj, nëna e pesë fëmijëve
 
Disa nga myslimanët në kryeqytet i japin zekatin nënës së 5 fëmijëve jetimë
 
Shyqyr që kemi ditë të tilla dhe njerëzit kujtohen dhe për ne të varfrit! Kështu e nis rrëfimin Majlinda Kazaj, nëna e pesë fëmijëve, teksa po priste vizitat e njerëzve me rastin e Kurban Bajramit. "Është dita e vetme e vitit, kur dhe ne të varfrit ndihemi të njëjtë me të tjerët",- thotë 45-vjeçarja. Kjo ditë për të është e mirëpritur, pasi një pjesë e myslimanëve i sjellin zekatin. Shtëpia e saj, sot, si asnjëherë më parë, është kthyer në një vatër ku lihet zekati. Dhoma e vogël tashmë është mbushur me trasta me mish që kanë sjellë besimtarët myslimanë për rastin e Kurban Bajramit. "Mishi i Kurban Bajramit i jepet zekat njerëzve të varfër",- na thotë me zë të ulët, që të mos dëgjojnë fëmijët, duke shtuar më tej po me këtë ton se, "ndihmat e djemve na zbukuruan festën". Rreth 20 trasta të shpërndara në dhomë, të mbushura me mish dhe artikuj të ndryshëm, për një familje të varfër në këto ditë Bajrami janë të bollshme. "Jam e lumtur që për drekën e Bajramit do të kem mundësi t'ua mbush fëmijëve sofrën plot",- tha ajo.
Historia
Me pesë fëmijët e mbledhur rreth vetes në ditën e Kurban Bajramit, Majlinda Kazaj thyente gishtërinjtë e duarve, ndërsa përpiqej ta ruante qëndrimin e nënës bujare, që fëmijët të mos e hetojnë brengën e saj, se edhe këtë Bajram, në tryezën e tyre do të shtrohen vetëm ato ushqime që u ka sjellë ndonjë njeri bamirës, apo dikush nga fisi i tyre. "Na asnjëherë nuk kemi festuar si të tjerët, me tryezën plot". Ditët e Bajramit, pas faljes, ajo kishte grumbulluar rreth vetes pesë fëmijët e saj, për t'i ndihmuar ta pastronte një kovë të mbushur me domate. Domatet që përgatiteshin për turshi, një thes miell dhe një pako me artikuj ushqimorë, dhuratë, janë e gjithë menyja që do të shtrohet në sofrën e tyre për ditët që vijnë.
Burrin e saj, Ymerin, e kanë vrarë në '98. "Mbeta e ve` me katër fëmijë. Driti, djali më i vogël, ka lindur pesë muaj pas vrasjes së babait. Ai shkon në klasën e parë, ndërsa ende nuk kam mundur t'ia blej librat. Është fëmijë dhe nuk e kupton pozitën tonë",- thotë ajo, ndërsa lotët ia këputin fjalën në gjysmë. As fëmijëve të tjera nuk kam arritur t'ua siguroj librat, por i kanë huazuar disi nga shoqet që kanë përfunduar klasën para tyre. Dy nga ato janë në shkollë të mesme dhe atyre u nevojiten edhe para shtesë për urban dhe për veshmbathje. Kjo shtëpi ka mbetur pa ndonjë mashkull të rritur në shtëpi, sa për krah pune. "Përveç festave të Bajramit unë nuk kam askënd që të më ndihmojë, përveç Zotit dhe këtyre fëmijëve, që në mbrëmje më rrethojnë dhe struken afër meje. Ashtu rrimë gjatë, pa ndërruar asnjë fjalë. Heshtja e tyre ma thyen zemrën... nuk duan të më rëndojnë me kërkesa, për të cilat e dinë se nuk mund t'ua plotësoj",- vazhdon Majlinda rrëfimin e saj. Tashmë janë mësuar me vetminë dhe varfërinë. Me 15 mijë lekë që marrin të gjithë së bashku, si ndihmë sociale, përpiqen "t'i zënë vrimat në thesin e shqyer" të buxhetit familjar. "Kursejmë shumë, përndryshe nuk do të mbijetonim me vetëm 15 mijë lekë. Shpenzojmë vetëm për ato më të domosdoshmet për jetë. Kur e sigurojmë miellin, vajin dhe kripën, për të tjerat ia bëjmë më lehtë. Nuk kemi as dru, e dimri është në prag",- thotë nëna e pesë fëmije, teksa me një sëpatë përpiqej të shkurtonte ca krande të holla nga një grumbull drush, të cilave u kishte ardhur fundi.
Box
Qeveria nuk kujtohet për ne, as për festa
Myslimanët edhe kësaj here u treguan humanë, ndërsa qeveria dorështrënguar, duke mos dhënë asgjë për të varfrit dhe jetimët në vigjilje të festës së Bajramit. "Sa për qeverinë, të gjithë jetimët, skamnorët dhe hallexhinjtë do të vdisnin urie. Askush nga pushtetarët nuk u kujtua",- thotë nëna e pesë jetimëve, e ndërsa po rropatej ta bartte pakon me artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe një thes me miell, bekonte besimtarët që vinin me traste të mbushura me mish qengji dhe sende të tjera për fëmijët, të cilët nuk i harruan jetimët e saj. "Do të gëzohen fëmijët e mi kur t'i nxjerr këta artikuj nga gjithë kjo pako e madhe. Qenkan brenda të gjitha që na mungonin këto ditë. Zoti i ruajt këta njerëz, që pasurinë e tyre e ndajnë me ne të harruarit nga institucionet, që na i gëzoi fëmijët për Bajram",-tregon e qeshur nëna e pesë fëmijëve. Tashmë ajo do ta ndjejë si të gjithë festën e Kurban Bajramit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›