Myslimanët kremtojnë Fitër Bajramin
Pas një muaj agjërimi të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në gjithë territorin e Kosovës kanë nisur kremtimet për festën e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror i faljes është mbajtur në Prishtinë në Xhaminë e Madhe, me ç’rast besimtarëve islam u është drejtuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka dhënë porosinë për kultivimin e tolerancës, dashurisë ndërnjerëzore e humanitetit.
Si asnjëherë më parë, myftiu Tërnava ka kritikuar institucionet që nuk po marrin parasysh kërkesat e besimtarëve islam, sikurse që ishte votimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës kundër futjes së lëndëve fetare nëpër shkolla.
Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër Bajramit i njohur ndryshe si Bajrami i Madh, është mbajtur në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë. Namazi i Bajramit është falur në ora 6.35 minuta, ndërsa paraprakisht ligjërata me tematikë nga kjo festë janë mbajtur nga disa klerikë islam, kurse hytbenë e ka mbajtur myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i cili iu është drejtuar opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
Myftiu Tërnava tha se festa e Fitër Bajramit është e një rëndësie të veçantë për besimtarët që kanë agjëruar muajin e Ramazani dhe që kanë shprehur përkushtim ndaj Krijuesit të gjithësisë, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e shkëmbimit të mesazheve të mira mes njerëzve.
“Njeriu e kupton dhe percepton burimin hyjnor të islamit, hulumton nën dritën e tij dhe mundohet që në mënyrë konkrete t’i zbatoj principet e këtij burimi, i cili njeriut ia garanton lumturinë në këtë botë dhe prehjen në botën tjetër, pranë Zotit të botëve”, ka thënë ai.
Myftiu u ka rikujtuar besimtarëve që kanë obligim që krahas kryerjes së riteve fetare, gjatë jetës gjithnjë të respektojnë farefisin, rrethin, vendin dhe të kenë një përkushtim të veçantë ndaj personave me nevojë.
Në këtë rast Tërnava si asnjëherë më parë, ka kritikuar institucionet që nuk po marrin parasysh kërkesat e besimtarëve islam, sikurse që ishte votimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës kundër futjes së lëndëve fetare nëpër shkolla.
“Unë sot në këtë ditë feste që nuk e kisha ndërmend t’i flas këto fjalë mund t’u bëj më dije që të gjithëve se kërkesat e BIK-ut adresuar institucioneve tona që i kemi krijuar me mund, përgjegjësit tanë këtyre kërkesave nuk janë duke ju përgjigjur ashtu si duhet. Kemi vonesa të mëdha dhe të pakuptimta”, ka thënë ai
Madje, myftiu Tërnava vlerësoi se gjatë debatit të zhvilluar dje në Kuvendin e Kosovës ka pasur deputet që kanë fyer myslimanët. Sipas tij, Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të jetë spektatore pasive dhe të shikoj se kush më tepër po fyen ndjenjat e myslimanëve në Kosovë.
“Nuk është e drejtë e askujt që islami të fyhet në raport me atë se do të hyj ose jo lënda fetare nëpër shkolla. E drejtë e çdo anëtari të Parlamentit është që të votojë ligjin ose jo, por nuk është e drejtë e askujt që të fyej identitetin islam dhe ndjenjën islame. Kjo ka ndodhur dje fatkeqësisht nga disa parlamentarë. Unë i thërras ata për një vetëdijesohen, se ka kaluar koha e komunizmit, kur avancohej ai që fyente ndjenjat fetare”, ka thënë ai.
Ai theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës e shtyrë nga mos përgjigja në kërkesat e saj do të detyrohet që të ndërmarrë edhe hapa tjerë dhe sigurisht përgjegjësia do të bie mbi të gjithë ata që fyejnë ndjenjën islame.
Por myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se BIK sikurse më parë, edhe në të ardhmen do të vazhdoj të kultivoj respektin ndërfetar në Kosovë edhe atëherë kur dikush mundohet ta prish këtë harmoni.
Pas një muaj të agjërimit në Ramazan, myslimanët e kryejnë ritin e faljes së namazit të Fitër Bajramit dhe mandej sipas fesë duhet të ndihmojnë familjarët e tyre dhe personat që kanë nevojë. Pra kjo festë, sikurse edhe tjerat reflekton veçoritë më të mira njerëzore e fetare që bazohen në moral, mëshirë, dhembshuri, drejtësi, ndershmëri, falje përkushtim, sakrificë e durim. /kp/
Presidentja uron besimtarët për festën e Fitër Bajramit
Presidentja Atifete Jahjaga ka uruar gjithë qytetarët e besimit islam të Kosovës dhe të mbarë botës me rastin e Fitër Bajramit, ndërsa ui ka dëshiruar atyre që këtë festë ta kalojnë me familjarët, me të afërmit dhe me miqtë, në atmosferë gëzimi, hareje e mirëkuptimi, në begati, me sofrat e mbushura plot me të gjitha të mirat që ju ka dhuruar Zoti.
Festa e Fitër Bajramit vjen pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të lutjeve, të përkushtimit, të forcimit të besimit, të përkujdesjes dhe ndihmës së ndërsjellë.
“Kjo ditë na rikujton që t’i kthehemi veprave të mira, sinqeritetit dhe ndershmërisë, forcimit të bindjes për të punuar mirë dhe drejt dhe në dobi të të gjithëve për një të ardhme të ndritur në misionin human të njeriut si krijesë e Perëndisë”, thuhet në urimin e presidentes.
Në këtë ditë, presidentja Jahjaga tha se përkujtojmë të gjithë ata që u flijuan për atdheun, të gjithë ata që me punën dhe me angazhimin e tyre, dhanë kontributin për lirinë dhe pavarësinë e vendit për ndërtimin e Republikës së Kosovës, shtet të lirë dhe të pavarur, duke nderuar familjet e tyre, duke respektuar veprën e sakrificën, si frytet dhe vlerat më të larta sublime.
Sipas saj, të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, në vendin e vet ndërtojnë shtetin dhe shoqërinë demokratike të bazuara në vlerat e civilizimit bashkëkohor, të lirisë dhe të barazisë, të shprehjes dhe të besimit fetar.
“Fitër Bajramin e festojmë si vend faktor paqeje dhe stabiliteti, si vend i demokracisë së zhvilluar, si shtet që gëzon përkrahjen e fuqishme të miqve ndërkombëtarë, me synimin që Republika e Kosovës, në të ardhmen e afërt, të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian dhe i OKB-së dhe vend anëtar i NATO-s”, ka thënë ajo.