Tadic: Nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë Boris Tadic ritheksoi të hënën se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.
Pas takimit me presidentin çek Vaclav Klaus në Pragë, Tadic tha se ai do të pranonte një mision policor të EULEX-it për Kosovën, por refuzoi të shqyrtonte pavarësinë për ish provincën serbe.
Në takimet me Angela Merkel javën e kaluar, Tadic ra dakord me sugjerimet e kancelares gjermane që Serbia të pranonte EULEX-in në të gjithë Kosovën dhe të kthehej në bisedime me Prishtinën.
Ajo po ashtu kërkon heqjen e strukturave paralele administrative, si postën dhe shkollat në veriun e Kosovës.
Merkel la të kuptohet se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian do të varet nga përparimet e negociatave me Kosovën.
Por, Tadic tha se Serbia nuk do të bënte koncesione me politikat e saj mbi Kosovën edhe nëse dëmton shanset e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.