E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslym Pashaj: Ja pse u largova nga Kreshnik Spahiu

pashajMyslym Pashaj, në një intervistë të gjatë për gazetën Panorama, thotë se shkaku kryesor që e ndau atë nga rrugëtimi politik me Kreshnik Spahiun ishte pozicionimi i AK në garën parlamentare.

Vendimmarrja për dalje në zgjedhje i vetëm ishte vepër e tij. Ajo ditë ishte e mbushur me mister, jashtë realitetit që shqiptarët po e njihnin. Kundër dy të mëdhenjve ishte vendimi fatal, sigurisht prodhim i një deliri.

I pyetur se si e ka njohur Kreshnik Spahiun, ai thotë: Me Kreshnik Spahiun jam njohur në prill të vitit 2011. Ndërkohë ai e kishte themeluar Lëvizjen Kuq e Zi. Ishte koha e kompozimit të Himnit të Lëvizjes. Ndodheshin shumë intelektualë që më pas nuk u përfshinë. Në darkë, sapo erdha në shtëpi, i shkrova një e-mail, në të cilin i thashë: Hiq nga teksti i Himnit emrin Kreshnik. Ky ishte fillimi. Po e përmend këtë fakt pasi brenda figurës për të cilën më pyesni dhe që sapo e kisha njohur, rrinte tjetërkush, që unë nuk e njihja, dhe smund ta njihja që në fillim. Megjithatë, iu bashkova lëvizjes. Kreshnik Spahiu ishte plot energji dhe me një ambicie të veçantë drejt së cilës ishte nisur. Ai kish hasur një fakt dramatik tronditës mbi ndryshimin e kombësisë, regjistrimin etnik dhe fetar, të ndërrimit të emrave dhe mbiemrave në shtetin fqinj, të pensioneve helene në Jug të Shqipërisë, ai solli fakte të reja, çka krijoi edhe suazën e formatin e lëvizjes sonë. Në deklarimin e parë për opinionin shqiptar ishte i ndjeri Sabri Godo, prof. Pëllumb Xhufi, prof. Ago Nezha dhe shumë intelektualë të shquar. Lëvizja po hynte në hullinë e saj. Tubimet e para ishin mbresëlënëse. Kjo tregonte se ajo do të rritej me shpejtësi.

I pyetur se cilat ishin çështjet që e ndanin nga Kreshnik Spahiu, Pashaj thotë: Është e vërtetë që ne e shndërruam lëvizjen në parti politike. Po fatkeqësisht nuk e formatuam dot atë. Filozofitë tona të ngjizjes së parë të lëvizjes dhe formësimit të saj ndryshonin. Drejtimi që bëhej ishte tipik sipas formatit OJF dhe nuk kish asnjë drejtim kolegjial. U krijua një Sekretariat i Përgjithshëm, po ai mbeti formal. Kreshniku punonte shumë, po ai nuk kish dëshirë drejtimin kolegjial, ai i besonte vetvetes, ideonte, jetësonte skenarë, realizonte vendimmarrje, të cilat nuk i konsultonte në Sekretariat. Ishte një regjisurë e vetvetes së tij. Iu trembej figurave të tjera që mund të afroheshin. Rrymën e lëvizjes e konsideronte thellësisht një prurje dhe krijesë të tijën, e aftësive të tij. Kjo u bë shqetësuse, ndërkaq nuk kish kohë që të merreshim me debate kur axhendat ditore politike vërshonin. Ky përfytyrim i tij mund të ketë qenë ndofta si një qasje me lëvizjet e partive si Syriza (Greqi), si 5 yjet (Itali) VV (në Kosovë), të cilat për një kohë të shkurtër pësuan një rritje avalanshi dhe u sollën fitore nismëtarëve. A mund të ngjante dhe kjo këtu ndër ne? Bima që po rritej e kish edhe antibimën. Kreshniku nuk i besoi asnjëherë krijimit të partisë. Ajo që solli trazim te kuqezinjtë kudo që ishin, qenë nismat e tij politike, problematikat, sloganet, taktikat, të cilat çdo herë e më shumë po bëheshin skajore, ai po e rriste përherë e më shumë artikulimin e tyre, duke i çuar në ekstremizim. Kështu të tilla ishin: Arrestimi i Berishës; Referendumi për bashkimin me Kosovën; Jeleku antiplumb; Thyerja e karrigeve; Qëndrimi ndaj pakicave etnike në Shqipëri; kryefjala Zoti është i Pari, Shqipëria mbi të gjitha (me ngjyrim të dyshimtë). Dy aventurat vetëshkatërruese të bulevardit (7 prilli i kuajve groteskë) dhe 1 Maji i jelekut antiplumb etj., po e vetëdemaskonin lëvizjen. Për të gjitha këto, ata që na besuan në fillim po e humbnin besimin dhe po fillonin të na braktisnin. Gjithnjë e më shumë po vija re se edhe ai vetë nuk i besonte sloganet dhe armët politike që përzgjidhte dhe ndonëse i artikulonte ato me karizëm dhe kurajë, në vetveten e tij të dytë nuk u përkiste atyre, por i kishte ato veçse thirrma populiste për ti pëlqyer masës së dëshpëruar që rronte në Republikën e Sundimit. Këtë po e kuptonin kuqezinjtë mijëra e mijëra në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Ata po ftoheshin gjithnjë e më shumë. Partia kishte një ide themelore inspiruese për ideologjinë kombëtare, por që nuk hodhi rrënjë organizative dhe nuk u jetësua, sepse tharmi i saj i parë nuk kish rënë në truallin e duhur.

Pashaj e pranon se ka marrë kërcënime me jetë pas largimit nga AK.

Janë vetëm ca telefonata naive, mjerane, zëra të ngjirur të OJF, të cilët jetonin me ëndrra se do të përsëritnin skenarin e kuajve në bulevard, që skanë lidhje me AK-në./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›