Myslym Pashaj: Spahiu u ka kërkuar 100 mijë euro kandidatëve për deputet? Duhen për fushatë
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi, Myslym Pashaj, në një intervistë për GSH, pranon se mund të jenë kërkuar shuma të mëdha nga kandidatët për deputetë të AK. Por ai thotë se këto duhen për të financuar fushatën.
Shikoni, edhe këtu mendoj se ka spekulime të mëdha. Unë besoj që diskutimet mbi çështje të financimit të fushatave, mund të jenë ngatërruar në ketë mes. Le të jemi realistë. Nuk mund të bësh fushatë zgjedhore falas në Shqipëri. Jo kur përballesh me shpenzime luksi marramendëse të partive të mëdha. Prandaj them që diskutime të tilla mund të jenë keqkuptuar. Financimi i fushatës mbetet gjithsesi një problem i madh, me të cilin AK duhet të përballet. Financim me moral gjithsesi. Patjetër që kandidatët për deputet do të marrin përsipër disa shpenzime të fushatës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kush thotë se kjo gjë nuk ndodh, gënjen! tha Pashaj.
Ai u shpreh se kishin hyrë në negociata me PS-në për të arritur një rezultat pozitiv. Pashaj tha se Spahiu nuk po bën lojën e Berishës, ndërsa sa i përket deklaratave të PS se Spahiu ka kërkuar pesë deputetë, Pashaj tha se kjo nuk mund të provohet./ep