Arrestohet vëllai i Dritan Dajtit për vjedhje makinash
VLORE- Një operacion policisë së Vlorës me qytete të ndryshme ka çuar në pranga 5 persona midis tyre dhe vëllanë e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Sipas policisë, personat në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur dy automjete mercedes Benz në qytetin e Vlorës ku një prej të cilëve është kapur pranë vëndit të quajtur “Qafa e Koshovicës” në hyrje të qytetit të Fierit. Policia konfirmon se midis të arrestuarve është dhe vëllai i të shumëkërkuarit Dritan Dajti, Sokol Dajti i cili u arrestua në fillim të këtij viti.
Kush eshte Dritan Dajti?
Dritan Dajti ishte një emër krejtësisht i panjohur për median dhe opinion shqiptar deri mesditën e 17 nëntorit 2003, kur u bë personazhi i një arratisje spektakolare nga Gjykata e Tiranës. Ai njihej si një djalë i thjeshtë që nuk i ishte dëgjuar zëri as në lagjen e tij, afër stacionit të trenit në kryeqytet.
Në eksodin e marsit 1991, ai u largua me anije si emigrant drejt Italisë, ku nuk qëndroi gjatë. Në ndryshim nga shumë shokë, bashkëmoshatarë të tij të lagjes, ai pëlqente të studjonte dhe të lexonte libra. Në momentin e arrestimit të fundit, më 21 prill 2001, Dajti u kap me librezën e studentit në xhep, pasi atë ditë sapo kishte dhënë një provim në fakultetin e drejtësisë, dega juridik.
Policia e Tiranës e akuzonte si bashkëpunëtor në grabitjen me armë të një pike bastesh të kompanisë “Eurolloto”, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 14 prillit 2001. I bindur se nuk kishte prova që ta fajësonin për këtë vepër penale, Dajti nuk e humbi toruan, por e mori ngjarjen si një përplasje personale me disa drejtues dhe oficerë të policisë së Tiranës.
Kur i kishin mbetër vetëm disa ditë për tu liruar për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit, Dajtit iu ngarkuan mbi shpinë disa akuza të tjera, për krime të rënda, përfshirë këtu dhe vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Agim Beqa. Presidenti i kompanisë së ndërtimit “Besa Konstruksion”, Agim Beqa, ishte vrarë më armë zjarri nga autorë me maska më 17 shkurt 1999.
Dajti ishte shoqëruar dhe më parë nga policia në lidhje me këtë ngjarje, por ishte lënë i lirë për shkak të mungesës së provave. Komunikimi i akuzave të reja ndaj Dajtit, bëri që ky i fundit të binte në pesimizëm dhe të humbte shpresën te organet e drejtësisë.
Studenti i juridikut e cilësonte veten të pafajshëm për këtë ngjarje. Por gjatë qëndrimit në burg ai e nuhati se ishte bërë viktimë e një grupi të fuqishëm në kryeqytet, që kishte influencë të madhe mbi disa nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. I bindur se nuk kishte asnjë shans të përfitonte një gjykim të drejtë nga gjykata, për shkak të influencës së madhe të kundërshtarëve të tij, Dajti vendosi të arratisej nga burgu në rastin më të parë që do ti paraqitej.
(O.Zh/ BalkanWeb)