Mziu e përdor faqen e bashkisë njësoj si profilin në Facebook

Foto nga festa, e publikuar ne faqen e bashkise
Ta përdorësh faqen e institucionit që drejton njësoj si profilin në Facebook. Kjo ndodh me Bashkinë e Kamzës, e cila në faqen e saj online jep detaje dhe foto të festës private të 45-vjetorit të kryetarit Xhelal Mziu.
Në shkrimin e publikuar në faqen në internet të Bashkisë së Kamzës jepen detaje të festës në një nga lokalet më luksoze, urimet e bashkëpunëtorëve, madje edhe premtimet e Mziut për ta shndërruar Kamzën në qytet të standardeve evropiane.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, festoi 45-vjetorin e lindjes, i rrethuar nga familjarë, miq e bashkëpunëtorë të shumtë. Në praninë e familjarëve, stafit të bashkisë, drejtuesve të shkollave të Kamzës si dhe biznesmenëve të shumtë, në një nga lokalet më luksoze, për kryebashkiakun Mziu kjo ishte një nga festat më të bukura të ditëlindjes së tij.
Me rastin e 45-vjetorit të tij ai ka marrë urime të shumta. Me disa buqeta me lule, familjarët, stafi i bashkisë, miqtë dhe të afërmit kanë uruar kreun e bashkisë, Mziu, ndërsa dreka e organizuar ka kaluar në një atmosferë mjaft festive. Urime të përzemërta ai ka marrë edhe nga funksionarë të lartë të institucioneve qendrore e vendore, si dhe nga përfaqësues diplomatikë në Tiranë, me të cilët ka lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë.
Bashkë me urimet, ata shprehën kënaqësinë që po festonin ditëlindjen e 45-të të një intelektuali të shquar e vizionar, i cili, i përkushtuar maksimalisht për shndërrimin e Kamzës në një qytet modern, duke e drejtuar me kompetencë e profesionalizëm Bashkinë Kamëz, e ka bërë atë ndër bashkitë më konkurruese në shkallë vendi.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Mziu falënderoi pjesëmarrësit në këtë eveniment të rëndësishëm të jetës së tij për urimet e tyre të sinqerta, duke i siguruar se në axhendën e tij do të jenë gjithmonë projektet zhvillimore për Kamzën, për ta bërë atë një qytet modern të standardeve evropiane, thuhet në faqen e Bashkisë së Kamzës.