E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, shkrumbohet banesa, shpëtojnë pjesëtarët e familjes

Banesa e përfshirë nga flakët, foto arkivi

Një banesë në fshatin Paçram të komunës Hajmel në rrethin e Shkodrës është përfshirë nga flakët duke shkaktuar panik, jo vetëm tek pjesëtarët e familjes Marku që jetonin brenda, por edhe tek komuniteti  i këtij fshati.

Dy zjarrfikëse të Shkodrës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur që të nxirren nga banesa një pjesë të familjes, e cila në tentativë për të shuar flakët e zjarrit me mjete rrethanore, kishin mbetur brenda.

Nxjerrja e pjesëtarëve të familjes nga banesa e përfshirë nga zjarri është bërë në kohën e duhur pa marrë plagë serioze, ndërkohë që më pas punonjësit e sektorit të zjarrfikësve, pasi kanë lokalizuar tendencën e përhapjes së flakëve të zjarrit në banesat pranë, kanë bërë shuarjen e plotë të tij.

Nga sa bëhet e ditur prej familjarëve, dëmet materiale janë të mëdha, por nga ana tjetër ato përgëzojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve në dhënies e ndihmës profesionale për shpëtimin e jetëve të tyre.

Ekspertët e policisë së rendit dhe ato të zjarrfikësve po hetojnë për shkakun e rënies së këtij zjarri, ndërkohë strukturat e qeverisjeve vendore të komunës dhe ato të prefekturës së Shkodrës, po shikojnë mundësinë e dhënies së ndihmës material për familjen e dëmtuar, ku pikë së pari i është ofruar një strehim provizor brenda territorit të komunës. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›