E Diel, 1 Nëntor 2026

NAREA kërkon tatim 3% për rivlerësimin e banesave dhe përfshirjen e atyre në proces legalizimi

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) kërkon ndryshime në projektligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke theksuar se aktualisht disa dispozita krijojnë bllokime dhe deformime në treg.

Në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat përfaqësuesi i NAREA, Reinaldo Pipiria theksoi se projektligji i paraqitur ngarkon individët me normë tatimore 5%, njëjtë me entitetet tregtare, ndërkohë që këta të fundit përfitojnë mundësinë e njohjes si shpenzimeve të zbritshme.

Shoqata propozon që për banesat norma të ulet në 3%, gjë që do të ndikonte për të zgjeruar bazën tatimore dhe për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në rivlerësim.

Po ashtu, NAREA kërkon që të përfshihen në procesin e rivlerësimit edhe pasuritë që kanë kaluar tashmë procesin e legalizimit, si dhe kontratat e porosive të regjistruara të cilat rezultojnë tashmë me gjurmë kadastrale, për të nxjerrë në treg pasuri reale dhe për të rritur transparencën financiare.

“Kemi sugjeruar që afati i rivlerësimit të jetë më i gjatë. Sipas statistikave, nga viti 2011 deri sot, përafërsisht 250 mijë pasuri të paluajtshme kanë arritur të rivlerësohen, ndërsa fondi i banesave duhet të jetë rreth 4,5 milionë, prej të cilave 3,5 milionë janë të certifikuara, pjesa tjetër është në proces legalizimi. Duke marrë parasysh censin e fundit, rezulton se rreth 450-500 mijë banesa duhet të futen në procesin e rivlerësimit. Kapaciteti aktual i përpunimit nga Agjencia e Shtetërore e Kadastrës (ASHK) është 33 mijë pasuri në vit. Nëse bëjmë një përllogaritje, kuptohet se nuk do të jetë kohë e mjaftueshme për të përfshirë këto 500 mijë banesa, shumica e të cilave janë ndërtuar para 10 viteve dhe tashmë kanë një vlerë të shtuar në treg. Duhet marrë parasysh gjithashtu se një pjesë e pronarëve aktualë janë nga diaspora, të cilët mund të dëshirojnë të tregtojnë pasurinë e tyre ose ta çojnë në vlerën reale të tregut”, tha Pipiria.

Sipas tij, sa herë që ka pasur një tatim të korrigjuar, tregu ka qenë duke performuar thuajse 60% më mirë dhe janë arkëtuar 44 milionë euro mesatarisht në arkën e shtetit në periudhën 2020-2022.

Shoqata nënvizon se ndryshimet e propozuara do të sigurojnë një rivlerësim më të drejtë, zbatim afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm të tregut të pasurive të paluajtshme.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›