E Shtunë, 31 Tetor 2026

NASA,teleskop për zbulimin e planeteve të ngjashme me Tokën

Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka hedhur në hapësirë një teleskop të ri, me shpresën për të zbuluar planete të ngjashme me Tokën. Teleskopi i pagëzuar me emrin Kepler është hedhur nga një raketë mbrëmjen e së premtes nga Kepi Kanaveral i Floridës. Gjatë misionit të tij, që do të zgjasë tre vjet e gjysmë, teleskopi do të vëzhgojë rreth 100 mijë yje, në kërkim të planeteve me përmasat e Tokës dhe në veçanti me temperaturat e nevojshme për të pasur ujë, që është elementi i nevojshëm për jetën. Projekti që kap vlerën e 600 milionë dollarëve ka emrin e astronomit gjerman të shekullit të 17-të, i cili ndihmoi në përshkrimin e lëvizjes së planeteve në orbitat rreth yjeve. Sipas administratorit të asociuar të NASA-s Ed Ueiler, më shumë se 300 planetë janë gjetur deri më tani nga misione të mëparshme, por asnjë i ngjshëm me Tokën. "Deri tani, edhe pse kemi zbuluar më shumë se 300 planetë, pas sistemit diellor, nuk kemi zbuluar ende një planet të ngjashëm me Tokën", deklaroi administatori i NASA-s, Ed Ueiler. Ndërkohë që sipas zyrtarëve të NASA-s, ky mission nuk ka si synim zbulimin e jashtëtokësorëve, por prioritet është gjetja e një "shtëpie", të përshtatshme ku do të mund të jetonin njerëzit. Dhe nëse një gjë e tillë do të kthehej në realitet do të ishte një rezultat i jashtëzakonshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›