NATO: Assad i ka ditët e numëruara

Një ditë pasi Rusia, aleati më i ngushtë i regjimit të presidentit Bashar al-Assad në Siri, pranoi se fitorja e kryengritësve në luftën civile është një mundësi reale, NATO i bashkohet këtij konstatimi duke theksuar se tashmë suksesi i rebelëve është vetëm “një çështje kohe”.
“Duke parë zhvillimet në terren, është tashmë vetëm çështje kohe përpara se regjimi i al-Assad të rrëzohet”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Deklarata e kreut të Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, u bë gjatë një takimi në të cilin u lajmërua edhe vendosja e raketave “Patriot” në kufirin turko-sirian, informon tch.
“Qeveria e al-Assad po humbet gjithmonë e shumë terren. I kërkoj regjimit që të heqë dorë nga dhuna, të kuptojë se cila është situata aktuale në vend dhe të nisë një proces që do të përfundojë me përmbushjen e aspiratave legjitime të popullit sirian”, tha Rasmussen.
Si rrjedhojë e luftimeve, që prej marsit 2011, mbi 40 mijë sirianë janë vrarë, dhjetëra mijëra figurojnë të zhdukur dhe të paktën 2.5 milionë banorë janë zhvendosur nga banesat e tyre, në destinacione më të sigurta brenda apo jashtë vendit./Indeksonline/