Ngushëllimet nga Kosova për Amerikën

(E plotësuar) Presidentja Atifete Jahjaga e ka ngushëlluar presidentin amerikan Barack Obama me rastin e tragjedisë së sotme, në një shkollë në Konektikat, që la dhjetëra të vdekur.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e rëndë për të shtënat në shkollën fillore në Konektikat, duke lënë dhjetëra jetë të humbura të fëmijëve dhe familje në dëshpërim.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të qytetarëve tuaj dhe për dhimbjen shkaktuar familjeve dhe popullit amerikan nga kjo ngjarje e rëndë.
Në këtë kohë zie dhe pikëllimi për vendin tuaj, mendimet dhe lutjet tona janë me popullin amerikan në këtë kohë të vështirë”, thuhet pos tjerash në ngushëllimin e presidentes Jahjaga.
.....
Ministri i Punëve të, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ka ngushëlluar sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, për tragjedinë që ndodhi sot në një shkollë fillore në Newtown të Connecticut-it.
Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj ka shprehur dhembjen dhe pikëllimin e madh për këtë akt kriminal, i cili u mori jetën dhjetëra personave, shumica prej të cilëve fëmijë.
Ministri Hoxhaj në telegram ka shprehur solidaritetin e plotë të qytetarëve të Republikës së Kosovës me familjarët e viktimave, me autoritetet amerikane dhe me mbarë kombin amerikan në këto momente të vështira.
“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po bashkëndjejnë dhembjen dhe pikëllimin me familjet të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, duke iu bashkuar lutjeve të popullit amerikan”, thuhet në telegram.
Ministri Hoxhaj ka shprehur konsideratat më të larta për autoritetet amerikane për punën që po bëjnë për tejkalimin e situatës së krijuar./Indeksonline/