NATO, Tarner: SHBA të mbështesë Maqedoninë

SHBA-ja duhet të bëjë më shumë rreth çështjes me Maqedoninë, pranimin e saj në NATO dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan. Kështu tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, kongresisti republikan nga Ohajo, Majkl Tarner, anëtari i ri i grupit joformal të Kongresit, Miqtë e Maqedonisë.
"Në kohën kur zgjerimi i NATO-s si duket u ndërpre, mendoj se ishte mirë të inkuadrohem në grupin dhe të jem një nga votat se e vlerësojmë marrëdhënien e posaçme që SHBA-ja e ka me Maqedoninë", deklaroi Tarner.
Lidhur me qëndrimin e ri amerikan, i cili e reflekton atë të NATO-s se Maqedonia do të bëhet anëtare menjëherë pasi ta zgjidh kontestin me emrin me Greqinë, Tarner vlerëson se SHBA-ja duhet të bëjë më shumë.
"Nëse e shikoni çështjen me Maqedoninë, por edhe rajonet tjera në Ballkan, me siguri duhet të ndërmarrë rol më thelbësor dhe të tentojë t′i zgjidh këto çështje. Mendoj se SHBA-ja tani ndërmerr një lloj të qasjes "të presim dhe të shohim çfarë do të ndodh" në të cilën palët vetë do të vinin deri te zgjidhja. Duhet të jemi përfaqësues më i fuqishëm, edhe për zgjidhjen, edhe për lëvizjen e vendeve drejt anëtarësimit në NATO", theksoi kongresisti.
Për çështjen e emrit, e cila mbetet e pazgjidhur në disa qeveri amerikane, Traner propozon dy veprime konkrete. E para: intensifikimin e dialogut dhe, e dyta: së bashku me të gjitha vendet e rajonit, të vendosen në tryezë dhe të zgjidhen të gjitha çështjet e rajonit, madje edhe çështjet që mbetën me dezintegrimin e Jugosllavisë.