E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, garante për stacionin e dytë të reformave

Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, kryeministri Berisha i bëri thirrje ministrave të kabintetit qeveritar që të procedojnë me shpejtësi me reformat, si detyrim parësor që i del vendit në negociatat që priten të fillojnë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha theksoi se falë suksesit të gjithanshëm Shqipëria mundi të marrë ftesën e anëtarësimit dhe shumë shpejt pret të aderojë me të drejta të plota në aleancën më të madhe në botë, në mbrojtje të vlerave të paqes dhe lirisë globale. Gjithsesi, kreu i qeverisë specifikoi, se marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO ishte jo vetëm moment besimi për Shqipërinë, por edhe përgjegjësie e detyrash të reja. “Në rast se ky ishte momenti i besimit më të madh që është vendosur mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në shekuj me radhë, marrja e ftesës është njëkohësisht edhe përgjegjësia më e lartë për ne”, u shpreh Kryeministri, i cili ia kushtoi hapjen e mbledhjes së parë të Këshillit të Ministrave, pas Samitit të Bukureshtit, ftesës për anëtarësim e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin me opozitën të rëndësishëm për marrjen e ftesës dhe veçoi si elementet më të rëndësishme të kësaj përgjegjësie klimën politike dhe kulturën e NATO-s. “Bashkëpunimi me opozitën, ka pasur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në marrjen e ftesës. Kultura e NATO-s kërkon edhe integrimin, kërkon që këto dy projekte të kenë vetëm një debat si të përsosen, por kurrë si të bllokohen. Qeveria dhe opozita, pavarësisht nga numri i votave që ka dhe mund të kenë në të ardhmen, nuk duhet të mendojnë kurrë të ecin të ndara në këto dy projekte të mëdha, që janë mishërim i ëndrrave më sublime të shqiptarëve”, tha më tej Berisha. Kryeministri siguroi se mazhoranca do të jetë e gatshme për bashkëpunim me opozitën për realizimin e këtyre dy projekteve madhore. “Dua të shfrytëzoj rastin për të garantuar opozitën se mazhoranca do të jetë plotësisht e hapur për të punuar bashkërisht në këto projekte. Kemi shumë probleme të tjera, për të cilat kemi këndvështrime të ndryshme dhe secili të mbrojë pikëpamjet dhe idetë e tij, por në këto dy projekte nuk jemi të ndarë”, vijoi Berisha. Ndërsa, duke folur për sfidat e reja pas marrjes së ftesës, Kryeministri vlerësoi si kryefjalën e këtij procesi përshpejtimin e reformave. “Përgjegjësitë janë të mëdha dhe duhet të procedojmë me reformat. Secili të shpejtojë hapin e reformave. Nga negociatat që do të fillojnë dalin disa detyrime, që ne do t’i përmbushim një për një. Secili duhet t’i shohë reformat që duhet të kryejë si perpetum mobile e vendit dhe shoqërisë. Ishin reformat dhe vetëm ato që e bënë Shqipërinë një vend frymëzues. Të vlerësohesh si një vend frymëzues do të thotë të vlerësohesh si një vend që respektohesh, një vend serioz, që ka lënë mbrapa imazhin e nxirë dhe ka dalë në dritë. Detyrat e reja, përfshinë të gjitha fushat dhe institucionet e vendit, si mbrojtjen, ekonominë, rendin, diplomacinë, arsimin, kulturën dhe mjedisin dhe për përmbushjen e tyre të gjitha institucionet duhet të vazhdojnë me të gjithë potencialin e tyre”, nënvizoi Berisha. Ndërkaq, më tej, Kryeministri Berisha vuri në dukje gjithashtu se në themel të vendimit të vendeve anëtare të NATO-s për të ftuar Shqipërinë për anëtarësim, ishin reformat e ndërmarra dhe veçanërisht lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ky vendim historik, që morën në unanimitet të plotë 26 vendet anëtare të NATO-s, kryetarët e shteteve dhe qeverive të tyre, kanë qenë transformimet e mëdha të Shqipërisë gjatë këtyre viteve. “Por më përcaktuese, padyshim kanë qenë reformat e ndërmarra gjatë 2-3 viteve të fundit dhe, më saktë, frytet e qarta të këtyre reformave në vitin e fundit 2007. Me gjithë ndryshimet e mëdha, pa luftën me tolerancë zero kundër kriminalitetit, pa përkushtimin e punonjësve të policisë së shtetit dhe të shërbimeve inteligjente dhe pa reformat e thella të këtyre institucioneve, Shqipëria nuk do të mund ta merrte ftesën”, tha kryeministri Berisha. Në këtë kuadër Berisha shprehu mirënjohjen për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e institucioneve në luftën kundër kriminalitetit, që shkatërruan në një kohë të shkurtër mbi 200 grupe kriminale ndër më të fuqishmet në Europë dhe vendosën para ligjit mbi 900 anëtarë dhe bosë të tyre duke e bërë Shqipërinë një vend të sigurt. Gjithashtu, Shefi i ekzekutivit vlerësoi se ftesa do të ishte e pamundur pa luftën e vendosur kundër korrupsionit dhe rezultatet e qarta në këtë luftë. “Kjo nuk do të thotë se është çrrënjosur korrupsioni. Përkundrazi lufta kundër tij duhet të forcohet. Por askush nuk mund të mohojë se në këtë luftë, me standardet e reja që kemi vendosur në funksionimin e administratës, ne e kemi nxjerrë atë jashtë konfliktit të interesit. Ne ia dolëm çdo vit duke luftuar korrupsionin, të çojmë një buxhet të dytë në parlament dhe të rrisim të ardhurat me 1.2 miliardë dollarë nga lufta kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit. Sërish këto fenomene persistojnë, por në një shkallë shumë herë më të vogël”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri, duke falënderuar punonjësit e administratës që me punën, përkushtimin e bashkëpunimin e tyre bënë të mundur këtë ngjarje
Berisha: Reformat ekonomike dhe fiskale në Shqipëri, ndër më impresionueset në Europë/Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se një rol shumë të rëndësishëm në dhënien e ftesës për anëtarësim në NATO, kanë pasur reformat ekonomike dhe fiskale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha i konsideroi këto reforma si “ndër më impresionueset në Europë”. “Këto reforma bënë të mundur angazhimin e të gjitha burimeve për reformat e kushtueshme në Forcat e Armatosura Shqiptare, rritjen e buxhetit mbi 2 për qind për to, avancimin e të gjitha projekteve, si dhe avancimin në kompletimin e ushtrisë profesioniste”, tha Berisha. Sipas tij, reformat ekonomike dhe fiskale e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës në rajon për investimet e huaja. “Ftesa për anëtarësim në NATO dhe reformat në Forcat e Armatosura do të kishin qenë të pamundura, në rast se nuk do të kishin suksesin që kanë njohur reforma në financat dhe ekonominë e vendit, të cilat ushtuan fuqishëm në mbarë Europën dhe botën”, shtoi më tej Kryeministri duke sjellë në vëmendje vlerësimin maksimal që iu bë këtyre reformave nga revistat më prestigjioze ekonomike. Gjithashtu Berisha vlerësoi punën dhe përkushtimin e shembullt të Forcave të Armatosura, duke theksuar se FA-të kanë një rol të rëndësishëm në marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ai falenderoi Forcat e Armatosura Shqiptare për progresin e bërë drejt arritjes së standardeve të NATO-s dhe kontributin e pazëvendësueshëm të tyre në marrjen e ftesës për anëtarësim. “Forcat tona të Armatosura kanë qenë në krahun më të avancuar të reformave për afrimin me NATO-n. Ato kanë bërë një progres shumë të madh drejt standardeve të ushtrive të NATO-s. Zgjerimi i përfaqësimit tonë në zonat e nxehta, shtimi i kontingjenteve, krahas atyre ekzistuese, rriti peshën e Shqipërisë në këto operacione dhe qartësoi një vullnet në rritje. Figura dhe emri i mirë që kanë bërë ushtarakët tanë në operacionet paqeruajtëse në zonat e nxehta ka qenë gjithashtu shumë mbresëlënëse për Shtabet dhe Forcat e Armatosura të vendeve aleate dhe ka ndikuar shumë pozitivisht në marrjen e vendimit. Pa reformat në Forcat tona të Armatosura përfaqësimi i shkëlqyer që ato i kanë bërë kombit dhe vendit në zonat më të nxehta të globit, marrja e ftesës nuk do të ishte e mundur”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për anëtarët e Forcave të Armatosura Shqiptare, oficerëve, nënoficerëve dhe drejtuesve të tyre, të cilët me përkushtimin e vendosmërinë e tyre do të arrijnë standarde të reja të domosdoshme për një vend anëtar të NATO-s. Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë reformat në FA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›